Në Kurjan të Roskovecit, duhani dikur ishte kultura më e rëndësishme bujqësore. Parcelat mbulonin mbi 200 hektarë dhe prodhimi vjetor shkonte ne 3000 kv. Pas viteve ’90, gradualisht sipërfaqja u tkurr dhe sot traditën e ruan vetëm Novruz Kuka.
Fermerin e gjejmë duke tharë duhanin e sapovjelë, teksa na tregon se ky është viti me prodhimin më të dobët, në më shumë se tre dekada. Prodhimi i sivjetshëm arrin në 2 tonë e gjysmë krahasuar me 4 tonë qe mori sezonin e kaluar.
“Në realitet, ka ardhur në rënie nga viti në vit kultivimi i duhanit. Nga vitet që prodhim nga 200-300 kv, kam arritur 20-3 ton. Sivjet është viti më i dobët, vetëm burrë e grua nuk ka më fuqi punëtore. Edhe çmimi deri diku nuk ka qenë keq, 5-6 mijë, por duhet të jetë më i lartë, se ka shumë punë duhani”, thotë Kuka.
Shkaqet e rënies se prodhimit janë të shumta, si mungesa e politikave mbështetëse nga shteti, mungesa e kontratave të sigurta me kompani grumbulluese, vështirësia për të gjetur punëtorë por edhe kostot e larta të prodhimit.
“Procesi është i vështirë që nga rritja e farishtes, mbjellja prashitja, vjelja tharja. Por nuk ka punëtorë. Tani nuk ka fuqi punëtore, Habiten kur themi që bëjmë 2 ton e gjysmë burrë e grua, thonë si ja dilni”, shprehet fermeri.
Çmimi i shitjes me shumice është 5-6 euro për kilogram, sipas cilësisë, dhe shkon kryesisht për eksport ne Greqi.
Edhe pse disa fermerë të tjerë shfaqën interes për ta rikthyer kultivimin e duhanit, pasiguria i ka detyruar të tërhiqen.
“Këtu duhet një ndërhyrje nga shteti. Pse të mos kemi markën tonë të cigares si në kohën e monizmit, kishte Shkëlzeni, Partizani, DS”, thekson ai.
Nga një industri që siguronte qindra vende pune, sot duhani është lënë në harresë dhe vendi ynë ende nuk ka një markë të vetën.