U hodh në fushë në minutën e 69-të në ndeshjen Dinamo-Vllaznia, duke zëvendësuar kolegun dhe rivalin e tij për një vend në formacion, Jagon. Fjala është për Esin Hakajn, një prej afrimeve apo më saktë rikthimeve të Vllaznisë në këtë merkato verore.
Me 28-vjeçarin që vetëm pas një sezoni në radhët e Elbasanit, vendosi të rikthehej sërish në shtëpi për edicionin 2025-26, në këtë mënyrë duke veshur për herë të tretë në karrierën e tij fanellën kuqeblu. Forma e mëngjarashit nuk ka qenë më e mira e mundshme në këtë fillim sezoni. Me mbrojtësin që ka vuajtur për një rikuperim të plotë të një dëmtimi që e ka shoqëruar që nga edicioni i shkuar. Por, në duelin ndaj Dinamos, shkodrani dhe “shkëndijat” e para se po rikthehet në formën e tij më të mirë.
Me hyrjen në fushë të Hakajt, pavarësisht se rezultati ishte siguruar deri diku në shifrat 2-0 për Dinamon, krahu i majtë i kuqebluve mori një ritëm tjetër. Me Hakajn që me inkursionet e tij të zakonshme u mundua të vinte në vështirësi kundërshtarët. Madje nga një këmbëngulje e ish-futbollistit të Partizanit erdhi edhe goli i nderit i shënuar nga Vllaznia në minutën e 94-ët me anë të Balajt. Ku sulmuesi shënoi mjaft bukur me kokë pas një krosimi të saktë të Hakajt nga e majta, në këtë mënyrë duke u shndërruar në njeriun asist.
Një formë në rritje kjo e Hakajt që patjetër shton rivalitetin për krahun e majtë tek Vllaznia, ku momentalisht duket se Jago e ka “betonuar” vendin në formacion. Megjithatë në javët e ardhshme bazuar edhe në formën që mund të tregojnë futbollistët mund të ketë ndryshime në 11-shen titullare të 9 herë kampionëve të vendit tonë.