Sezoni i parë i Sir Lewis Hamilton me Ferrarin po rezulton më sfidues nga sa pritej. Shtatë herë kampioni i botës ende nuk ka arritur asnjë podium në 20 gara dhe po kalon një nga periudhat më të vështira të karrierës së tij në Formula 1.
Ndërkohë, shoku i tij i skuadrës, Charles Leclerc, po shkëlqen dhe po tejkalon dukshëm britanikun, duke nxitur spekulime rreth të ardhmes së Hamilton te skuderia italiane.
Disa media të mëdha, përfshirë ESPN dhe Corriere della Sera, kanë raportuar për mundësinë që Ferrari të mos rinovojë kontratën e Hamiltonit, e cila skadon në fund të sezonit 2026 dhe madje kanë përmendur emra si George Russell si zëvendësues të mundshëm.
Por Hamilton, 40 vjeç, duket i qetë përballë këtyre zërave. Në një intervistë për ‘Ferrari Magazine’, ai theksoi se përpjekjet për t’u përshtatur me realitetin e ri janë në vijim dhe se durimi është i domosdoshëm.
“E dija që bashkimi me Ferrarin do të ishte diçka e madhe, por është edhe më e fuqishme nga sa e kisha imagjinuar. Ka shumë përgjegjësi dhe pritshmëri të mëdha. Të gjithë duan fitore të menjëhershme, por Roma nuk u ndërtua në një ditë”, deklaroi Hamilton.
Ai theksoi gjithashtu se fillimi i vështirë nuk ka lëkundur besimin e tij.
“Unë përpiqem të fokusohem te gjërat që mund t’i kontrolloj, si përgatitja ime, puna me ekipin dhe qëndrimi pozitiv çdo ditë”, vijoi.
Pavarësisht rezultateve të dobëta, me vendin e katërt si më të mirë këtë sezon, Hamilton mohoi që angazhimet jashtë pistës të ndikojnë në performancën e tij.
“Të gjithë mund të shpërqendrohen në një mënyrë apo tjetër. E rëndësishme është si e ndan energjinë tënde. Për mua, krijimtaria është mënyra për të qëndruar i frymëzuar”, tregoi anglezi.
Hamilton mbetet i bindur se marrëdhënia e tij me Ferrarin do të japë fryte në të ardhmen dhe për momentin, siç thotë vetë, “durimi është pjesë e garës”.