SPAK ka dërguar për gjykim ish-kryetaren e komanduar të bashkisë së Tropojës, Zyra Islamaj dhe ndërtuesin Rrok Gega, të cilët akuzohen për korrupsion. SPAK e akuzon Islamajn se ka ndërhyrë te ndërtuesi për të ngritur një urë mbi përroin që kalon pranë shtëpisë së motrës së saj.
Ditën e djeshme është mbajtur edhe seanca paraprake në GJKKO, e cila pranoi kalimin për gjykim. Rrok Gega akuzohet për “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike“, ndërsa Islamaj do të gjykohet për “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike“.
Nga hetimet e SPAK ka rezultuar se Islamaj ka ndërhyrë tek ndërtuesi për të ngritur urën mbi përroin që kalon pranë shtëpisë së motrës së saj. Sipas SPAK, Islamaj planifikoi të angazhonte edhe teknikun e mirëmbajtjes së rrugëve, punonjës në Bashkinë Tropojë, për ta ndihmuar ndërtuesin. Edhe ndërtuesi ka pohuar se ky ndërtim nuk ka qenë në procedurat e tenderimit dhe ai do t’ia bënte dhuratë Kryetares së Bashkisë Tropojë.
Ura megjithatë, nuk është ndërtuar, ndërsa hetimi nisi pas një denoncimi të PD-së mbi materiale të një emision televiziv investigativ në nëntor të vitit 2024 në televizionin e familjes Berisha.
Islamaj u komandua në krye të Bashkisë së Tropojës në shtator të vitit 2024 pas arrestimit të kryebashkiakut Rexhë Byberi për shpërdorim detyre. Ky i fundit më 1 gusht u lirua nga arresti shtëpiak.
Njoftimi i plotë
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 29.09.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale me nr. 15/2026, në ngarkim të të pandehurve: Rrok Gega, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244/2 i Kodit Penal dhe Zyra Islamaj, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal”.
2. Në seancën e datës 25.11.2025 (seanca paraprake), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, bazuar në nenet 112, 332/dh, pika 1, gërma “a”, 332/ë, 332/gj, pika 1 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 149, datë 25.11.2025, vendosi:
I. Pranimin e kërkesës së palës kërkuese, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal nr.15, viti 2025 në ngarkim të të pandehurve:
1. Rrok Gega, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike“, parashikuar nga neni 244, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
2. Zyra Islamaj, akuzuar për kryerjen e veprës penrrok ale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike“, parashikuar nga neni 259, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
II. Dërgimin e çështjes për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me tjetër trup gjykues.
III. Fashikulli i gjykimit do të përmbajë të gjitha aktet e hetimit paraprak, të përfshira në 1 volum hetimor (përveç deklarimeve të shtetasve të pyetur me cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes).
IV. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.