Daut Haradinaj, ka shprehur respekt për Albulena Haxhiun dhe familjen e saj, por ka theksuar se ajo është bërë viktimë politike e Albin Kurtit.Haradinaj në Blic Interview e ka quajtur dëm për figurën e Haxhiut insistimin për emrin e saj si kandidatja e VV-së për kryeparlamentare, duke theksuar se që prej shumë seancash, kjo kandidaturë nuk ka marrë mbështetje dhe po dëmtohet imazhi i saj.
“Kam respekt personal për Albulena Haxhiun, edhe për të edhe për familjen e saj. Por, në këtë rast, Haxhiu është viktimë politike e Albin Kurtit sepse unë mendoj se vetë fakti që po insistojnë në një emër, që tash e disa seanca nuk kalon, po dëmtohet figura dhe emri i Albulena Haxhiut. Pra, unë nuk po shoh që do të ketë vota për këtë kandidate të VV’së për kryeparlamentare”, tha Haradinaj.Ai ka shtuar se për shkak të gjuhës fyese të Kurtit ndaj partive opozitare, zgjidhja e situatës ka qenë e pamundur, megjithatë ka bërë të ditur se AAK-ja ka qenë e gatshme të ofronte mbështetje për kandidatë të pranueshëm si Saranda Bogujevci dhe Shqipe Selimi, pa asnjë kërkesë për kompromise.
“Duke marrë parasysh gjuhën e fyese të Kurtit ndaj partive opozitare, termet e rënda ofenduese të tij na barrikaduan në pozicionet që i kemi sot. Ne kemi qenë të gatshëm t’i japim zgjidhje kësaj situate dhe t’i japim votat pa asnjë kompromis e asnjë kërkesë, vetëm të jenë emra të pranueshëm për Kuvendin, siç janë Bogujevci dhe Selimi”, thotë tutje ai.Haradinaj ka akuzuar Kurtin për mungesë vullneti për konstituimin e Kuvendit, duke thënë se ai po e përdor këtë situatë për përfitime politike, ndërsa Kosova po e paguan çmimin.
“Albin Kurti nuk e ka vullnetin për konstituim të Kuvendit, po i konvenon kjo zhagitje dhe po i duket që Kosova nuk po humb asgjë”, tha Haradinaj në Blic Interview me Astrit Gashin. /GazetaBlic/