Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka vlerësuar lart kontributin e shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut në luftën për liri, duke theksuar se ata kanë qenë krah Kosovës në ditët më të vështira, kur shpresa mbahej gjallë nga besimi dhe sakrifica.
Në një postim të tij, Haradinaj shprehet përjetësisht mirënjohës për secilin që ka qenë krah luftës çlirimtare, duke veçuar bashkëluftëtarët nga Shkupi, të cilët, siç tha ai, ndanë dhimbjen, rrezikun dhe idealin e përbashkët.
“Sot, në një takim tejet të veçantë me ta, ndamë edhe mirënjohje si shenjë respekti, falënderimi dhe përulësie ndaj atyre që dhanë shumë, pa kërkuar asgjë në këmbim”, ka shkruar Haradinaj, ndërsa ka pritur në Prishtinë gjeneral Gëzim Ostrenin dhe ish-pjesëtarët e UÇK-së, Bekir Asani, Bekim Dardhishta, Ejup Alimi, Ekrem Dardhishta, Muharrem Asani, Afrim Ramadani, si Miftar Islami, që të gjithë ushtarë të UÇK-së në Dukagjin, nën komandën e Haradinajt. E pranishme ishte edhe Shqipdona Mazari, vajza e Komandant Strugës – Nuri Mazari.
Kreu i AAK-së theksoi se ata janë dhe do të mbeten pjesë e pandashme e rrugëtimit të Kosovës, e historisë së saj dhe e së ardhmes që ndërtohet bashkë.