Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, zhvilloi një vizitë zyrtare në Greqi, ku u prit nga homologu i tij George Gerapetritis dhe Presidenti i Republikës Helenike, Constantinos Tassoulas. Kjo vizitë u konsiderua si një moment i rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat janë anëtare të NATO-s dhe ndajnë interesa strategjike në rajon.
Ministri Hasani theksoi se marrëdhëniet dypalëshe duhen trajtuar me seriozitet dhe frymë konstruktive. “Rikonfirmuam vullnetin për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë dypalësh – të ndërtuar mbi besimin, interesat strategjike dhe rolin tonë të përbashkët si aleatë në NATO. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë thelbësore për stabilitetin rajonal dhe për konsolidimin e vizionit evropian në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh ai.
Një pjesë kyçe e bisedimeve ishte integrimi evropian i Shqipërisë. Ministri shqiptar shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Greqia i ka dhënë këtij procesi, duke e konsideruar atë një fqinj dhe partner aktiv. “Jam mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që Greqia i ka dhënë këtij procesi dhe për rolin e saj si një partner aktiv dhe fqinj me të cilin ndajmë interesa dhe përgjegjësi të përbashkëta,” tha Hasani.
Në lidhje me çështjet e pazgjidhura, përfshirë Ligjin e Luftës dhe marrëveshjen për kufirin detar, Hasani nënvizoi domosdoshmërinë e trajtimit të tyre me seriozitet. “Ndajmë bindjen se ka ardhur koha për të trajtuar me seriozitet dhe qasje konstruktive të gjitha çështjet e mbetura. Është në interesin e përbashkët të dy vendeve që këto tema të adresohen përmes dialogut të sinqertë, respektit të ndërsjellë dhe përputhshmërisë me të drejtën ndërkombëtare,” deklaroi ai.
Në takimin me Presidentin Tassoulas, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve. “Vlerësova bashkëpunimin e qëndrueshëm ekonomik mes vendeve tona, si dhe rolin e dyfishtë të Greqisë si partneri ynë më i madh tregtar dhe përkrahës i palëkundur i Shqipërisë në procesin e integrimit evropian,” shtoi ministri Hasani.
Nga ana e tij, ministri Gerapetritis theksoi nevojën për të parë nga e ardhmja, duke lënë pas konfliktet historike. “Hijet që kanë rënduar marrëdhëniet mes dy vendeve tona duhet të eliminohen, njëherë e përgjithmonë. Ne duhet të shohim nga e ardhmja me optimizëm, mbi bazën e respektimit të plotë të së drejtës ndërkombëtare dhe gjithmonë duke ndërtuar marrëdhënie miqësie dhe fqinjësie të mirë,” u shpreh ai.
Megjithatë, disa nga çështjet kryesore mbeten ende të pazgjidhura, si marrëveshja për detin që është dakordësuar për t’u dërguar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës që prej pesë vitesh, por që ende nuk ka pësuar ndonjë përparim konkret.
Gjatë vizitës, Hasani mori pjesë edhe në një diskutim të organizuar nga Instituti ELIAMEP, ku prezantoi zhvillimet në procesin e integrimit të Shqipërisë dhe reformat e ndërmarra. Vizita do të përmbyllet me një pritje nga Ambasada e Shqipërisë në Athinë, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues diplomatikë, autoritete greke dhe anëtarë të komunitetit shqiptar.