Ishte mëngjesi i 10 gushtit 1988, kur poeti Havzi Nela u var publikisht në sheshin “Agjencia” në Kukës, një ngjarje që tronditi vendin dhe mbetet një nga momentet më të rënda të diktaturës.
Sot, 37 vjet ekzekutimit të tij, ai përkujtohet pranë bustit të ngritur në nder të figurës së tij në Kukës, ku përfaqësues të Partisë Demokratike të Kukësit, familjarë dhe ish-të përndjekur politikë vendosën kurora me lule.
Në fjalën e saj, bashkëshortja Lavdie Nela kujtoi qëndrueshmërinë e poetit, ndërsa vërejti se ai ka dhënë shpirtin me kokën lart.
“Diktatura komuniste e pashpirt nuk mendoi për jetën e poetit, se ai e donte lirinë. Sot pas 37 vitesh drejtësia nuk ka thënë fjalën e saj as për poetin, as për vuajtjet e mia. Havziu nuk u përkul kurrë, as para litarit, as para diktaturës. Ai vdiq si poet, por jeton si simbol i lirisë”,- tha ajo.
Deputeti Klevis Balliu theksoi rëndësinë e kujtesës historike dhe dënimit të komunizmit, ndërsa kryetari i PD-së lokale, Rraman Demaj, e quajti Nelën “një nga simbolet më të forta të rezistencës antikomuniste”.
“PD është sot në mbështetje më shumë se kurrë të çdo luftëtari të lirisë, i cili nuk ka prej kujt të frymëzohet më shumë se nga Havzi Nela. Ai nuk e step asnjë sekondë nga ajo që ndiente si gjëja më hyjnore në botë, që ishte liria”,- tha Balliu.
Ceremonia përkujtimore përfundoi me një minutë heshtje dhe vendosjen e luleve në nder të poetit të lirisë.