Kur një tym i zi filloi të dilte nga ndërtesa fqinje në Holmlia në jug të Oslos, Bekim Ahmedi nga Tetova së bashku me Magnus Kevin Strige e morën situatën në duart e tyre për të ju dalë në ndihmë fqinjëve të tyre, transmeton Portalb.mk nga VG.no.
Të dielën, 29 vjeçari nga Tetova dëgjoi disa britma të cilat vinin ngandërtesa ngjitur dhe reagoi menjëherë duke marrë një aparat kundër zjarrit dhe u nis drejt ndërtesës nga ku dilte tymi.
“Kur arrita atje, pashë shumë tym kudo. Fillimisht mendova se po digjej një banesë, por zjarri ishte në korridor, ka thënë Ahmedi për VG.
Për të ndihmuar doli edhe 26 vjeçari Magnus Kevin Strige.
Ata kanë sqaruar se kur e hapën derën e ndërtesës, u përpoqën ta fiknin zjarrin.
“I thamë njëri-tjetrit të merrnim frymë thellë. Pastaj morëm frymë bashkë”, tha Strige për VG.
Të dy u shtrinë barkas dhe filluan të zvarriteshin drejt zjarrit, nën tym.
Bekimi thotë se nuk pati kohë të mendonte për asgjë tjetër përveç njerëzve që jetojnë në ndërtesë.
“Ka shumë familje dhe fëmijë atje. Duhet të reagosh shpejt për ta ndalur. Mendimi ishte vetëm të provoja. Nuk mendon shumë në ato momente. Thjesht bën atë që mundesh”, thotë Ahmedi.
Të dy, Ahmedi dhe Strige, patën vështirësi në frymëmarrje dhe tani ndodhen nën vëzhgim në spitalin Ulleval.
Policia u njoftua për zjarrin në orën 16:05 dhe forca të shumta nga policia, zjarrfikësit dhe shërbimet shëndetësore u nisën drejt Holmlia-s. 16 persona u dërguan në spital pas zjarrit.