Për organizatat që monitorojnë gjuhën e urrejtjes në Maqedoninë e Veriut është shqetësuese që asnjë nga zyrtarët e lartë politik, prezent në sallën ku pati thirrje ofenduese e nacionaliste ndaj shqiptarëve gjatë ndeshjes së basketbollit në mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, nuk reagoi. Ndërsa, njohësit e komunikimit politik bëjnë thirrje që nacionalizmat dhe racizmat të mos tolerohen fare. Sipas profesorit universitar, Sead Xhigal, këto janë dukuri jo të mira të gjuhës së urrejtjes dhe intolerancës që përsëriten, më shpesh gjatë kohërave të tensioneve politike ose në periudha parazgjedhore, shkruan Portalb.mk.
“Qëllimi zakonisht është të diktohet agjenda mediatike, të polarizohet shoqëria me këto tema, me qëllim motivimin dhe mobilizimin e grupeve të caktuara të qytetarëve për qëllime politike dhe partiake. Një sjellje e tillë, e cila është e dënueshme në çdo mënyrë, është bërë gradualisht pjesë e (jo) kulturës sonë politike dhe trajtohet si një lloj mjeti “legjitim” në komunikimin publik politik, përmes manifestimit të patriotizmit të rremë agresiv dhe në fakt nacionalizmit dhe racizmit, të cilat nuk duhet të tolerohen fare” , tha profesori Xhigal për Portalb.mk.
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut ka mbështetur vendimin e Prokurorisë Themelore Publike të Kumanovës për të hapur një procedurë për shkak të thirrjeve nacionaliste dhe ofenduese.
“Brohoritjet e tilla provokojnë nxitje dhe intolerancë bazuar në përkatësi etnike, siç përshkruhet në Nenin 319 të Kodit Penal. Tribunat sportive vazhdojnë të jenë një hapësirë ku përhapen mesazhe ofenduese dhe diskriminuese, veçanërisht në baza etnike dhe kombëtare. Një gjuhë e tillë, veçanërisht kur manifestohet publikisht, ka potencialin të shkaktojë përçarje të thella dhe të prishë kohezionin ndëretnik dhe ka potencialin të provokojë krime nga urrejtja. Në ndeshjen e basketbollit morën pjesë zyrtarë të lartë qeveritarë, përfshirë kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski, zëvendëskryeministri Ivan Stoiljkovic, si dhe kryetari i Bashkisë së Kumanovës dhe kreun i partisë ZNAM, Maksim Dimitrievski. Është shqetësuese që asnjë nga këta zyrtarë të lartë nuk reagoi ndaj thirrjeve ofenduese gjatë ndeshjes. Politikanët nuk duhet të qëndrojnë indiferentë dhe kështu të normalizojnë gjuhën e urrejtjes, sepse duke vepruar kështu ata kontribuojnë në nxitjen e atmosferës së përçarjeve, tensioneve dhe destabilizimit”, u tha në kumtesën e Komitetit të Helsinkut.
Nga aty specifikojnë se komiteti i Helsinkit monitoron dhe reagon vazhdimisht ndaj gjuhës së urrejtjes, e cila është një nga faktorët kryesorë që çon në krime nga urrejtja.
“Përkatësia etnike ka dominuar për vite me radhë si baza më e zakonshme për gjuhën dhe aktet e urrejtjes dhe autorët dhe viktimat më të shumta janë të rinjtë. Kjo është arsyeja pse ne besojmë se dënimi publik është më e pakta që mund të bëjnë strukturat politike dhe se institucionet kompetente duhet të gjejnë dhe ndëshkojnë autorët. Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dënon fuqimisht përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë, sportivë dhe shoqërorë që të kundërshtojnë këtë fenomen dhe të mbështesin kulturën e tolerancës, dialogut dhe respektit për diversitetin. Komiteti i Helsinkit do të vazhdojë të monitorojë zhvillimin e ngjarjeve që lidhen me thirrjet ofenduese dhe diskriminuese. Sporti duhet të jetë një hapësirë për unitet, jo një platformë për përhapjen e gjuhës së urrejtjes”, thanë nga KH.
Prokuroria ka nisur hetimin e rastit
Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës njoftoi se po ndërmerr veprime dhe se i ka dhënë disa urdhra dhe udhëzime Sektorit të Punëve të Brendshme të Kumanovës për të hetuar elementët e një vepre penale në thirrjet që përmbanin gjuhë urrejtjeje “nga persona aktualisht të panjohur në ndeshjen e djeshme të basketbollit midis ekipeve kombëtare të Maqedonisë dhe Rumanisë”.
“Është lëshuar gjithashtu një urdhër për të siguruar pamjet e mbikëqyrjes me video me qëllim identifikimin e autorëve të mundshëm”, thanë nga prokuroria.
Sektori i Punëve të Brendshme (SPB) Kumanov ka njoftuar se disa persona janë thirrë për intervistë zyrtare dje në lidhje me incidentin në ndeshjen Maqedoni-Rumani.
“Pas analizave të kryera në koordinim me Prokurorin Publik, do të merren masa specifike ligjore kundër personave të përfshirë, përfshirë edhe ndjekje penale”, thuhet në njoftimin e SPB Kumanovë. Ata shtuan se policia e Kumanovës po merr masa për të sqaruar plotësisht rastin.
Për profesorin Sead Xhigal, ilaçi për zvogëlimin e fenomeneve të këtilla është shumë i thjeshtë.
“Sanksione të rrepta për ata që janë përgjegjës, edukim rreth pasojave të dëmshme dhe trajnim për parandalim. Megjithatë, shumë shpesh kjo nuk zbatohet për shkak të zbatimit selektiv ose moszbatimit të plotë të instrumenteve ligjore. Rekomandimet nga komuniteti i profesionistëve dhe ekspertëve janë shumë të qarta: Pavarësisht ligjeve ekzistuese, legjislacioni vendas nuk përmban një përkufizim të qartë ligjor të gjuhës së urrejtjes”, tha Xhigal në prononcimin e tij për Portalb.mk.
Gjithashtu, në vendin tonë nuk ka një institucion përgjegjës që mbledh dhe analizon sistematikisht të dhëna mbi gjuhën e urrejtjes, shtoi tutje profesori, gjë që kufizon kapacitetin institucional për t’u marrë me këtë problem serioz.
“Përveç kësaj, në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup u emërua një prokuror publik për rastet që lidhen me urrejtjen dhe diskriminimin, ndërsa në rajone të tjera ende nuk ka prokurorë të tillë. Ky departament duhet të forcohet dhe zgjerohet”, përfundoi Xhigal.
Mickoski: Në sallë nuk i vura re brohoritjet, e dënoj nacionalizmin dhe ksenofobinë
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski nuk i ka vurë re brohoritjet dhe sharjet ndaj shqiptarëve.
“Dje, organizatori- Federata e Basketbollit dhe komuna e Kumanovës dënuan brohoritjet dhe shpërthimet ksenofobike të disa personave në sallë. Të them të drejtën, derisa isha atje, nuk e vura re fare, sepse ishte një grup i vogël njerëzish. Por, do të doja gjithashtu ta shfrytëzoja këtë mundësi për t’u bashkuar me dënimin e nacionalizmit dhe ksenofobisë”, tha kryeministri Mickoski.
Ai bëri thirrje për sjellje sportive dhe mbështetje të ekipeve dhe ekipit nacional në vecanti.
“Të bëjnë tifo për sportin dhe të bëjnë tifo për ekipin e tyre, si dhe dhe ekipin nacional. Çdo gjë tjetër do t’i nënshtrohet sanksioneve pavarësisht se nga cila anë vjen”, tha kryeministri.
Thirrjet raciste kundër shqiptarëve, alarmuan edhe Tiranën dhe Prishtinën zyrtare
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cilësoi ngjarjen si të papranueshme dhe theksoi se gjuha e urrejtjes nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport. Spiropali vlerësoi reagimin e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, por kërkoi që zyrtarët e lartë të vendit mik të shprehen edhe më fort publikisht. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se thirrjet antishqiptare të dëgjuara në Kumanovë janë të papranueshme dhe “cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë”. Presidentja e Kosovës kërkoi që RMV të veprojë dhe të ndëshkojë ata që nxisin urrejtje.
“Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre si dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër”, tha Osmani.
Kujtojmë se gjatë fundjavës që lamë pas, është rikthyer gjuha e urrejtjes dhe gjuha ksenofobe e tifozëve maqedonas ndaj shqiptarëve.
Në ndeshjen e parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e cila u zhvillua në Kumanovë, janë dëgjuar brohoritje me tone fyese ndaj shqiptarëve si “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”.
Partitë politike shqiptare shfrytëzuan ngjarjen në Kumanovë për të akuzuar njëra tjetrën. Fronti Europian kërkoi përgjegjësi politike dhe dorëheqje nga zyrtarët e koalicionit VLEN, konkretisht nga zëvendësministri i Brendshëm, Astrit Iseni dhe zëvendësministrja e Sportit, Safie Sadiki Shaini, për mosreagimin ndaj incidentit. Koalicioni VLEN u përgjigj se BDI nuk ka marrë kurrë përgjegjësi për tragjeditë e shqiptarëve dhe se institucionet, si kurrë më parë, e kanë dënuar unanimisht ksenofobinë.