Liburn Aliu udhëhoqi për katër vite dikasterin e Infrastrukturës, ku në fund për “çështje parimore” dha dorëheqje nga pozita ekzekutive. Udhëheqja e këtij dikasteri nga ana e Aliut u karakterizua me bastisje, akuza për pranim ryshfeti e tenderë të dyshimtë.
Aliu dha dorëheqje nga pozita e ministrit përgjatë ditës së djeshme. Në njoftimin e tij, arsyen e dorëheqjes e prezantoi kinse të ketë qenë kryetari i zgjedhur i Kuvendit, Dimal Basha, shkruan Insajderi.
“Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit te kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim. Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua“, deklaroi ai.
Por, për çka u karakterizua qeverisja e tij?
Para tri vitesh, ishte publikuar një aferë e këshilltarit të tij, Florent Ramqaj nën akuza të thella për pranim ryshfeti. Sipas raportimit të Nacionales, Kompania “Infratek”, në të cilën kishte punuar këshilltari i ministrit Aliut, Florent Ramqaj, është pronë e dajës së tij, Halil Jahaj. Person i autorizuar i kompanisë, sipas të dhënave të publikuara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), është Florije Jahaj, një familjare e Halil Jahajt.
Sipas incizimit, një përfaqësues i kompanisë “Infratek” kërkonte ryshfet nga një përfaqësues i një biznesi privat për dorëzimin e një raporti në Ministrinë e Infrastrukturës për punët e kryera rreth punimeve të kryera në rrugën Gjakovë-Dollc.
Kompania e Jahajt kishte për detyrë që të shkruante raporte për punët e kryera nga kompanitë e caktuara për punimet në rrugën Gjakovë-Dollc. Dhe, në vend se të kryente punën siç e parasheh ligji, përfaqësuesi i kompanisë ‘Infratek’ dëgjohej duke keqpërdorur detyrën zyrtare për të marrë përfitime financiare.
Emri i Liburn Aliut përmendej në këto përgjime. “E ka jaran Liburnin”, thuhet në një sekuencë përfaqësuesi i Infratek-ut duke e mbështetur kërkesën për ryshfet. Liburn Aliu i kishte mohuar të gjitha ato çka janë thënë në përgjime.
Në ministrinë e tij ndodhën edhe arrestime lidhur me skandalet për ambalazhim të ujit. Ishte arrestuar Naser Hafizi për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL) në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Naser Hafizi dyshohet se kundërligjshëm ka iniciuar nxjerrjen e vendimeve për zvogëlimin e borxheve ndaj ambalazhuesve të ujit.
Kjo nuk ishte hera e parë që forcat e rendit vunë këmbë në objektin e MMPHI-së. Në janar të 2022-ës, në një operacion në kuadër të aksionit “Brezovica” që ishte zhvilluar në 10 lokacione të ndryshme, në MMPHI ishte arrestuar kryeinspektori Bedri Halimi, ish-sekretari i përgjithshëm Arben Çitaku dhe Mustafë Hyseni, shef i departamentit për Mbrojtje të Mjedisit dhe Ujërave.
Prokuroria e akuzonte Arben Çitakun si ish-sekretar në MMPH, për marrjen e vendimeve për pëlqime mjedisore dhe ujore për objektet ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, Zona e Brezovicës.
Po ashtu, në nëntor të 2023-ës Departamenti amerikan i Shtetit kishte vendosur në listën e sanksioneve Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Departamentit të Prokurimit në ministrinë e Aliut, për “përfshirje në korrupsion të madh”.
Përgjatë mandatit të Aliut, vartësi i tij, Hysen Durmishi jepte tender duke iu shmangur rrugëve ligjore “jaranëve” të tij. Ndante miliona euro për Bujar Shabani e Florent Eminin për ndërtimin e rrugës në Podujevë.
Në korrik të këtij viti, Zyra Kombëtare e Auditimit e kishte dërguar në prokurori një projekt që ishte në përgjegjësi të ministrisë së Aliut. Bëhej fjalë për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10 nga Hani i Elezit deri në Leshak në Leposaviq, që ka pasur të përfundojë në vitin 2019.
Një nga kritikat kryesore të Auditorit, ishte vonesat dhe kosot shtesë që merrte ky projekt.
“Konkluzioni i përgjithshëm i auditimit është se mungesa e komunikimit, mungesa e ekspertëve adekuat, pamjaftueshmëria në angazhim dhe vendimmarrje nga palët përgjegjëse kanë ndikuar që realizimi i projektit të jetë larg nga të qenit efikas. Edhe pse shihet një progres i shpenzimeve gjatë viteve 2022 dhe 2023, prap edhe pesë vite pas kohës së caktuar për finalizim të projektit, realizimi i punëve është 60% për fazën I, 32% për fazën II, ndërsa për fazën III nuk ka ende as projekt të dizajnuar. Kosto shtesë dhe provizionale të shkaktuara janë 30 milion euro, prej të cilave rreth 28 milion euro janë prej ndryshimeve nga kontratat bazë dhe pjesa tjetër janë kosto tjera të ndërlidhura me projekt“, thuhet aty.
Siç thotë auditori, disa nga mangësitë kryesore të identifikuara përfshijnë: Realizimi i projektit është përcjellë me vonesa të tej zgjatura në çdo fazë si dhe kosto përtej planifikimit, ndryshime të mëdha në kontrata dhe nevoja për huamarrje shtesë si shkak i vlerësimit jo të duhur të nevojave, Procedurat e kontraktimit dhe menaxhimit të kontratave ishin përcjellë me mangësi të mëdha, rrjedhimisht kishte ndryshime të mëdha në projekt, Njësia për Implementimin e Projektit nuk kishte arritur të ushtroj ndikimin e saj në realizimin e projektit, Mungesë e monitorimit nga Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike dhe vendimmarrje të pamjaftueshme nga Bordi i Drejtorëve, Komiteti Drejtues dhe Infrakos.
Këto ndryshime, sipas auditorit kishin rezultuar me 30 milionë euro kosto shtesë dhe provizionale dhe vonesa të mëdha në realizim.
Pjesë e debatit publik ka qenë edhe pasurimi i shpejt i ministrit Aliu. Ai kishte deklaruar dy shtëpi në lagjen më të shtrenjtë në Prishtinë, “Marigona Hill”.
Aliu në agjencinë për deklarim pasurie kishte deklaruar se ka detyrime financiare ndaj “Marigona Hill” për shkak të dy banesave që i kishte blerë në këtë lagje luksoze.
Në formularin e deklarimit të pasurisë për këtë vit, thotë se vlera e mbetur e borxhit për shtëpinë e parë në vlerë prej 64 mijë euro është tetë mijë euro. Ndërkaq, për shtëpinë e dytë të blerë në vlerë prej 103 mijë euro, vlera e borxhit është 58 mijë euro. /Insajderi.org/
Florent Ramqaj