Portieri Jurgen Mehidri është një nga lojtarët e larguar nga radhët e Besës në përfundim të sezonit të fundit, ku verdhezinjtë nuk arritën që ta realizojnë objektivin madhor. 27-vjeçari e nisi si titullar sezonin e fundit, por pas ndryshimeve në stafin teknik në merkaton e dimrit, portieri nisi të hapë krahun për kolegun e tij, Donart Ahmeti.
Gjithsesi, Mehidri ishte titullar i Besës së sezonit të fundit në 24 nga 33 ndeshjet e kampionatit të rregullt. Duke humbur terrenin në Kavajë, Jurgen Mehidri është kthyer te “streha” e vjetër, ku edhe u evidentua si portier. Pra, 27-vjeçari do të veshë sërish fanellën e Korabit, ku me dibranët ka përjetuar emocione dhe rezultate të shkëlqyera. Me rikthimin e Mehidrit, pritet që te Korabi të kryhen edhe disa përforcime të tjera cilësore, në mënyrë që Korabi të mos e përsërisë më sezonin e fundit, ku mbijetesën e siguroi në fund.
RODRIGO MIGONE– Në merkaton e janarit, Besa kreu 7 afrime me shpresën që do ta fitonin rivalitetin me Vorën dhe Flamurtarin për ngjitjen direkte në Superiore. Pjesë e këtyre afrimeve ishte edhe argjentinasi Rodrigo Migone, për të cilin pati shumë pikëpyetje rreth vazhdimësisë me verdhezinjtë. Madje, për shumë kohë ai u deklarua si largim i sigurt, por duket se së fundmi drejtuesit e kanë bindur që të ndryshojë mendje dhe të veshë fanellën e Besës edhe në sezonin 2025-2026.
Padyshim, rinovimi i Migones është një vlerë e shtuar për fazën ofensive të skuadrës së drejtuar nga trajneri Emiljano Çela. Kavajasit prej disa ditësh janë zhvendosur në Ersekë, në mënyrë që këtë periudhë të fazës përgatitore ta zhvillojnë larg temperaturave të larta.