Ndeshja e Premier Ligës mes Ullvërhempton dhe Bërnlit është mbyllur me skena të pazakonta. Tifozët e skuadrës vendase, pas disfatës 3-2 me një gol të pësuar në minutën e fundit shtesë, i janë kundërvënë ekipit, e sidomos trajnerit Vitor Pereira.
“Do shkarkohesh në mëngjes”, ishte kori që nisi në tribuna drejtuar trajnerit i cili nuk po e nxjerr dot Ullvërhempton nga kriza, pasi nuk ka fituar ende asnjë ndeshje dhe mban vendin e fundit në renditje.
Kjo bëri që ai të shkonte të përplasej me një grup tifozësh të ekipit të Ullvërhempton dhe u desh që ta tërhiqnin nga krahët pjesëtarë të stafit që situata të mos përshkallëzohej më tej.
“Dy muaj më parë ata po këndonin emrin tim falë punës që bëmë në sezonin e kaluar. Tani ata këndojnë emrin tim ndoshta që të më shkarkojnë nga puna, por ky është futbolli”, tha Pereira në fund të sfidës rreth incidentit në fjalë.