Pas rezultateve zgjedhore në Hungari, ku është mposhtur Viktor Orban, reagime të menjëhershme kanë ardhur edhe nga partitë politike në Maqedoninë e Veriut. Nga LSDM, kryetari Venko Filipçe përmes një postimi në rrjetet sociale e cilësoi rezultatin si fund të një regjimi autokratik, duke theksuar se “Europa nuk pranon autokraci” dhe se kjo paraqet fitore të demokracisë. Nga kjo parti u vlerësua se ndryshimi në Budapest është një mesazh për gjithë rajonin, duke e lidhur zhvillimin edhe me situatën politike në vend.
“Sonte Hungaria tha: MJAFT! Regjimi jodemokratik i Viktor Orban ra – pikërisht ashtu siç kemi paralajmëruar prej muajsh. Organizata kriminale VMRO mbetet pa aleatin e saj të vetëm në BE. Nuk ka më fshehje të Nikola Gruevskit në Budapest, as kombinime biznesi. Kryeministri i ri i Hungarisë, z. Peter Magyar, paralajmëroi reformë të thellë në media për shkak të ndikimit të madh që Orban kishte mbi to. Po bien regjimet autokratike. I radhës është Aleksandar Vuçiq, e bashkë me të edhe Hristijan Mickoski”, theksoi Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.
Në anën tjetër, VMRO-DPMNE reagoi duke e kritikuar ashpër Filipçen, duke i kërkuar që të fokusohet në problemet e brendshme të partisë dhe të distancohet nga ish-kryeministri Zoran Zaev. Nga kjo parti theksuan se opozita nuk duhet të merret me zgjedhje në shtete të tjera, por me gjendjen e brendshme politike.
“Venko Filipçe dhe udhëheqja aktuale e LSDM-së, të cilën ai e ka vendosur sipas masës së tij, duhet më në fund të distancohen nga Zoran Zaev dhe të gjithë partnerët e tij të dyshimtë biznesorë prorusë në marrëveshje të errëta dhe kriminale. Të tillë partnerë të dyshimtë Zaev ka disa. Mes tyre janë emra të dyshimtë biznesmenësh si Miodrag Daka Davidoviq, Aleksandar Onyshchenko dhe Borçe Markovski”, thonë nga VMRO DPMNE.
Reagim pati edhe nga nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani i cili në rrjetet sociale shkurt shkroi:
“Ra regjimi antieuropian në Budapest. Me këmbë të lehte…”, tha Bujar Osmani, nënkryetar i BDI-së.
Ndërkohë, nga koalicioni VLEN, Bekim Qoku vlerësoi se humbja e Orbanit është lajm i mirë për demokracinë në Evropë.
“Humbja e Viktor Orbanit në Hungari është një lajm i mirë për demokracinë dhe për forcat progresiste në Bashkimin Evropian dhe në Evropë në tërësi. Ajo dëshmon se edhe regjimet që duken të konsoliduara mund të sfidohen dhe të mposhten përmes vullnetit qytetar.
Njëkohësisht, ky është një lajm i keq për regjimet autoritare, të cilat gjithnjë e më shumë funksionojnë në bazë të solidaritetit të ndërsjellë, përtej dallimeve ideologjike”, u shpreh Bekim Qoku nga VLEN.
Reagimet tregojnë ndarje të thellë politike në vend, ku zhvillimet ndërkombëtare po përdoren edhe për përplasje të brendshme politike.