Këtë të enjte ka hyrë zyrtarisht në fuqi vendimi i Bankës së Shqipërisë për të kufizuar kredinë që do marrin qytetarët për të blerë prona të patundshme. Ky vendim është i detyrueshëm për tu zbatuar nga bankat në vend duke nisur nga data 1 korriku i këtij viti.
Në fillim të muajit maj Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që të caktojë disa limite për vlerën e kredisë që do mund të marrin qytetarët.
Asnjë bankë nuk do të japë kredi për qytetarët që duan të blejnë shtëpinë e parë më shumë se 85% e vlerës së saj. Pra për kredi në lekë për të blerë një banesë me vlerë 10 milionë lekë banka do të financojë maksimumi 8.5 milionë lekë.
Kësti mujor i kësaj kredie nuk do të jetë më shumë se 40% e të ardhurave mujore të qytetarit. Pra nëse të ardhurat mujore janë 100 mijë lekë në muaj, kësti nuk duhet të jetë më i lartë se 40 mijë lekë.
Ndërsa ata që kërkojnë kredi për të blerë një shtëpi të dytë vlera e kredisë që do mund të marrin kur është në monedhën lekë do të jetë 80% e vlerës së pronës. Praktikisht nëse prona do ketë çmim 10 milionë lekë qytetari do të marrë 8 milionë lekë kredi. Ndërsa kësti mujor për këtë kredi të dytë do të jetë 35% e të ardhurave mujore.
Kufizimet janë edhe më të ulta kur kredia merret në monedhë të huaj sipas këtij vendimi. Qytetarët që për të blerë pronën e parë do të aplikojnë për të kredi në valutë do të marrin vetëm 75% të vlerës. Pra një pronë me çmimi 100 mijë euro do të financohet me 75 mijë euro kredi maksimumi. Ndërsa kësti do të jetë 35% të vlerës së të ardhurave.
Nëse kërkohet kredi në valutë për pronën e dytë, qytetari s’do marrë më shumë se 70% të vlerës kredi, dhe kësti mujor do të jetë jo më shumë se 30% e të ardhurave mujore të kredimarrësit.
Kufizimi i Bankës së Shqipërisë u ndërmor për të frenuar shtrenjtimin e pronave që sipas bankës qendrore është nxitur nga rritja e kreditimit. Për shkak të çmimeve vetëm në rritje, në Shqipëri po shiten më pak apartamente. Sipas shifrave zyrtare vjet u shitën 31 mijë prona nga mbi 35 mijë prona që ishte numri i kontratave në vitin 2023. Afro 50% e banesave të shitura janë blerë me kredi nga qytetarët.
S.B/Shqiptarja.com