51-vjeçari Ylli Misku është vënë në prangat e Policisë në Tiranë, pasi ishte i dënuar në Itali me 5 vite e 11 muaj e 14 ditë burgim.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se ai ishte dënuar për trafikim të lëndëve narkotike dhe ‘vjedhje në rrethana rënduese’.
Sipas Policisë, arrestimi i tij u krye me qëllim ekstradimi drejt Italisë, ku edhe pritet të vuajë dënimin.
Njoftimi i Policisë:
Policia e Shtetit-Vijojnë operacionet për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohet faza e 90-të e operacionit policor të koduar “Operacionalja”.
I dënuar në Itali me 5 vjet, 11 muaj e 14 ditë burg për trafikim të narkotikëve dhe vjedhje në rrethana rënduese, kapet dhe vihet në pranga, me qëllim ekstradimi, 51-vjeçari.
Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative mbi vendndodhjen e një shtetasi të dënuar në Itali, organizuan dhe finalizuan fazën e 90-të të operacionit policor të koduar “Operacionalja”.
Në kuadër të kësaj faze, në Tiranë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit Ylli Misku, 51 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit Bologna, Itali, në korrik të vitit 2022, e ka dënuar me 5 vjet, 11 muaj e 14 ditë burg për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, dhe “Vjedhje në rrethana rënduese”.
Arrestimi i tij u krye me qëllim ekstradimi drejt Italisë.