Radisllav Kërstiq, ish-komandant i korpusit Drina të Ushtrisë së Republikës Sërpska, i dënuar për gjenocidin në Srebrenicë me 35 vjet burgim, do të vazhdojë të vuajë dënimin në Estoni bëri të ditur Mekanizmi Ndërkombëtar për Tribunalet Penale më 10 prill.
Ai ishte gjetur fajtor nga Tribunali i Hagës për gjenocid ndaj më shumë se 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë, për përndjekje, si krim kundër njerëzimit, dhe për vrasje.
Kërstiq ishte arrestuar më 2 dhjetor 1998 dhe ishte dërguar në paraburgim në Hagë. Në prill të vitit 2004 ndaj tij u shqiptua dënimi me burg, ndërkaq në dhjetor të po atij viti ai u transferua në Mbretërinë e Bashkuar për të vuajtur dënimin.
Gjatë qëndrimin në një burg britanik, ai u sulmua – dhe pësoi lëndime – nga të burgosurit e tjerë, gjë që çoi në transferimin e tij në Poloni më 2013. Më pas, në nëntor të vitit 2023, ai u kthye sërish në Hagë, pasi kishte vuajtur dy të tretat e dënimit të tij në Poloni dhe sipas ligjeve në Poloni ai duhej të lirohej.
Qeveria estoneze, më pas, e njoftoi gjykatën në Hagë se është e gatshme ta marrë këtë të dënuar që ta vazhdojë vuajtjen e dënimit, që i përfundon më 23 nëntor 2033, njoftoi kryetarja e gjykatës Graciela Gatti Santana, gjykatë që është pasardhëse e Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavi.
Kërstiq është personi i parë që është dënuar për gjenocidin e kryer në Srebrenicë në korrik të vitit 1995.
Ai vazhdimisht ka kërkuar që t’i ofrohet falje dhe lirim i parakohshëm, por këto kërkesa janë refuzuar nga Gatti Santana.
Në kërkesën e tij të fundit, ai pranoi përgjegjësinë për gjenocidin në Srebrenicë dhe, mes tjerash, tha se ai e dinte se “disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm synonin të kryenin gjenocid”, por që “nuk kishin forca të mjaftueshme për të kryer ekzekutimet” pa “e përdorur korpusin Drina”, që atëbotë Kërstiq komandonte.
“Nëse një ditë lirohem dhe nëse presidentja e Mekanizmit pajtohet për lirimin tim dhe nëse familjarët e viktimave e lejojnë këtë, dua që të shkoj në Potoçari edhe një herë në jetën time, të përkulem para viktimave dhe të kërkoj falje”, shkroi ai në kërkesën e tij.