Policia e Kosovës ka njoftuar sot ekstradimin në Kosovë të dy personave, të dyshuar për vepra kriminale.
Një prej tyre është Edon Bytyqi, bëjnë të ditur burime të IndeksOnline.
“Është ekstraduar nga Gjermania për në Kosovë, shtetasi i Kosovës E.B., pasi që i njëjti kërkohej me urdhër arrest ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë, i përfshirë në veprimtari penale” deklaroi Policia e Kosovës.
Bytyqi ishte i përfshirë në vepra të rënda mashtrimi.
Rastet e tij të mashtrimit nisen të zbardhen qysh dy vjet më parë.
Duke u lajmëruar herë si avokat e herë si prift, herë si Edon Bytyqi e herë si Dibran Hoxhaj, ai dyshohet të ketë përfituar shuma të mëdha parash në emër të bamirësisë.
I njëjti kishte mashtruar edhe familjen e një ish-ushtari të UÇK-së, të arrestuar në Serbi.
Familjes, Bytyqi iu kishte thënë se, me pretekstin se është në të njëjtin burg me familjarin e tyre, kishte nevojë për para.
I njëjti, në raste të tjera, kishte kërkuar para edhe në emër të figurave të shumta publike.
Një nga figurat që Bytyqi kishte personifikuar ishte edhe zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Duke iu prezantuar njerëzve si Elshani, Edoni dyshohet të ketë përvetësuar shuma të konsiderueshme parash, të cilat i kërkonte t’i transferoheshin nëpërmjet institucioneve të ndryshme financiare.
Në njoftimin e saj, policia ka bërë me dije se pas ekstradimit, i dyshuari u dorëzua njësiteve përkatëse të policisë në Prizren për procedura të mëtutjeshme ligjore.