Të rikonceptuara sipas modelit të gjykatave amerikane, ku palët janë përballë trupës gjykuese dhe hekurat nuk ekzistojnë më për të pandehurit, që do të jenë vetëm në kafazë xhami.
Kështu do të duken sallat e reja të gjyqit, pas rikonstruksionit total që është në proces në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Pauza e pushimeve verore, të përcaktuara me ligj për gjyqtarët prokuroret në muajin gusht, është shfrytëzuar për rikonstruksion të sallave gjyqësore, dhomave të këshillimit por edhe ambiente të tjera ndihmëse si hollet, një ambient i posaçëm për gazetarët etj.
Report Tv ka siguruar fotot e projektit se si do të duken ambientet e GJKKO, teksa afati i përfundimit të rikonstruksionit është maksimumi 15 shtatori, dhe për këtë arsye deri në këtë datë nuk janë lënë për t’u zhvilluar procese gjyqësore.
Për rikonstruksionin e brendshëm të gjykatës janë angazhuar 6 kompani të përzgjedhura me tendera, të cilat nuk dihet nëse do të përfundojnë punimet brenda afatit të përcaktuar.