Ndërmarrja “Ibër-Lepenci” është kthyer në vatrën kryesore të punësimeve të pushtetit.
Familjarë, militantë e mbështetës të VV-së, për një kohë janë rehatuar në këtë ndërmarrje.
Ndër vite, u punësuan gruaja e Salih Zybës, gruaja e Blerim Sallahut, asamblist të VV-së e përfaqësues të tjerë. Madje edhe me mesazhe në Kuvend.
Besnik Buzhala
Kompania rajonale e ujit “Ibër Lepenci”, që drejtohet nga zyrtari i Vetëvendosjes, Faruk Mujka, po del të jetë një institucion i lehtë për t’u punësuar njerëzit e afërt me Lëvizjen Vetëvendosje dhe familjarët e tyre.
Në këtë kompani, e cila është shndërruar në “çerdhe” për punësimin njerëzve të pushtetit, ka ndodhur edhe një punësim që lidhet me VV-në.
Gazeta Nacionale ka mësuar se vitin e kaluar në këtë kompani është punësuar bashkëshortja e Drejtorit të sekretariatit dhe të Zyrës së Partive Politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Besnik Buzhala.
Kompania e “Ibër Lepencit” nuk ka treguar për këtë punësim, por punësimi i bashkëshortes së Buzhalës kuptohet nga deklarimi vjetor i pasurisë së tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
Deklarimi është bërë në vitin 2025 dhe mbulon të ardhurat për vitin 2024.
Blerim Sallahu
Mediumi Shënjestër ka raportuar për një tjetër punësim në Ibër-Lepenc.
Sipas raportimit, gruaja e Blerim Sallahut është punësuar në këtë ndërmarrje që drejtohet nga Faruk Mujka.
Fjala është për Hadije Imerit e cila është punësuar si zyrtare ligjore.
Salih Zyba
Sofije Zyba, bashkëshortja e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, është punësuar në Ndërmarrjen Publike Hidroekonomike “Ibër Lepenc”.
Emërimi i saj si “Inxhiniere e Makinerisë” në Prishtinë mban datën 24 mars 2025.
Kontrata është 1-vjeçare, me mundësi vazhdimi, sipas vendimit zyrtar që ka siguruar Shënjestër përmes qasjes në dokumente publike.
Vendimi është nënshkruar nga Faruk Mujka, kryeshef ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje. Ai, sikurse Zyba, është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje. Mujka është asamblist i kësaj partie në Mitrovicë të Jugut.
Enver Dugolli e asamblisti
Nacionale kishte raportuar se Ilir Dugolli, vëllai i deputetit të VV-së, Enver Dugolli, si dhe Ekrem Sadiku, asamblist i VV-së në Mitrovicë, do ta këshillojnë kryeshefin e ndërmarrjes Ibër-Lepenci, Faruk Mujka.
Të dy janë punësuar në një konkurs që është zhvilluar javëve të fundit në ndërmarrjen e cila duket se është kthyer në strehë për punësimin e zyrtarëve që publikisht i takojnë partisë në pushtet.
Nacionale gjithashtu para disa ditësh kishte raportuar me mesazhe në Kuvend se si ishte organizuar punësimi i asamblistit tjetër të VV-së, Veton Zogaj, po në ndërmarrjen Ibër-Lepenci.
Gazeta Nacionale ka siguruar vendimet me të cilat Ilir Dugolli dhe Ekrem Sadiku, janë përzgjedhur për pozitën e këshilltarëve të Kryeshefit të Ndërmarrjes Ibër-Lepenci.
Në vendimin për punësimin e vëllait të deputetit të pushtetit, thuhet se ai ka marrë 80 pikë nga i gjithë vlerësimi. Nacionale qysh javë më parë kishte mësuar se këto konkurse janë të përgatitura për personat e afërt me partinë në pushtet.
“Për punët dhe detyrat e punës, Këshilltarë i Kryeshefit Ekzekutiv, me shumicë votash nga paneli intervistues zgjidhet Ilir Dugolli. Kandidati sipas pikës 1 të këtij vendimi ka marrë gjithësej 80 poena nga totali i pikëve nga testi me shkrim dhe ai intervistues. Vendimi hyn në fuqi në ditën e pranimit nga palët”, thuhet në vendimin për punësimin e vëllait të deputetit të zëshëm të VV-së.
Ratësisht apo jo, me 80 pikë nga paneli është përzgjedhur edhe asamblisti i VV-së në Mitrovicë, Ekrem Sadiku. Nacionale ka mësuar se Sadiku është person i afërt me kryeshefin e Ibër-Lepencit, Faruk Mujka, që dikur ishte nënkryetar i komunës së Mitrovicës.
“Për punët dhe detyrat e punës, Këshilltarë i Kryeshefit Ekzekutiv, me shumicë votash nga paneli intervistues zgjidhet kandidati Ekrem Sadiku. Kandidati sipas pikës 1 të këtij vendimi ka marrë gjithësej 80 poena nga totali i pikëve nga testi me shkrim dhe ai intervistues. Vendimi hyn në fuqi në ditën e pranimit nga palët”, thuhet në vendimin për punësimin e këtij asamblisti të VV-së në ndërmarrjen Ibër-Lepenc.
Punësimi me mesazhe
“Të gjitha kriteret i plotësoj”, thuhej në mesazhin që asamblisti i VV-së në Malishevë, Veton Zogaj, ia kishte dërguar deputetit Gani Krasniqi. Megjithatë, pavarësisht se thoshte që i plotëson kriteret, zyrtari i lartë i partisë në pushtet, zgjodhi të aktivizojë edhe përfaqësues të tjerë të partisë, për t’ia lehtësuar punësimin në ndërmarrjen “Ibër-Lepenc”.
Në mesazhet që gazeta Nacionale kishte publikuar tre muaj më parë, Veton Zogaj e njoftonte deputetin e VV-së, Gani Krasniqi, se do të aplikojë në pozitën “Shef i Shërbimit për Burime Njerëzore”. Në ato mesazhe, i kërkonte Krasniqit të intervenojë te Faruk Mujka, që ishte kryeshef në këtë ndërmarrje.
Nacionale priti 1 muaj derisa ky konkurs u finalizua, dhe aty u punësua pikërisht asamblisti Zogaj. Megjithatë, ndikimi potencial në këtë konkurs, tashmë është në ‘llupën’ e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Për nisjen e hetimeve, gazeta Nacionale ka kontaktuar edhe me ndërmarrjen “Ibër-Lepenci”, megjithatë të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Nacionale kishte raportuar ekskluzivisht për këtë temë, me mesazhe e fotografi, se si ‘rehatohen’ militantët e asamblistët në ndërmarrje publike.
Veton Zogaj përveç asamblist i VV-së, gjithashtu ka lidhje familjarë edhe me deputetin e VV-së, Adnan Rrustemi. Zogaj e ka për bashkëshorte, motrën e deputetit Rrustemi.
Zogaj i shkroi deputetit Krasniqit në mënyrë që i njëjti ta ndihmojë për punësim në këtë ndërmarrje. Kërkesa e tij ishte që Gani Krasniqi që gjithashtu vjen nga Malisheva, të intervenonte te Faruk Mujka.
“Mirëmbrëma baci Gani, shpresoj që nuk po të marr shumë kohë. Deshta të njoftoj që nesër kam plan të aplikoj në kompaninë Ibër-Lepenci në pozitën: Shef i shërbimit të burimeve njerëzore (numri i kryerësve – 1). Të gjitha kriteret për këtë pozitë i plotësoj, kryeshef i kësaj ndërmarrje është Faruk Mujka, nëse e sheh të arsyeshme të bisedosh me të që ta njoftoj lidhur me aplikimin tim. Shpresoj që nuk po të shqetësoj dhe mundoj me këtë”, thuhet në mesazhin që Veton Zogaj ia kishte dërguar deputetit Gani Krasniqi, të cilin e ka siguruar Nacionale.
Pasi lexoi mesazhin, deputeti në fjalë i premton se do t’i ndihmojë asamblistit për t’u punësuar në Ibër-Lepenc.
“Veton, e kam parë që më keni shkruar mbrëmë, por pasi s’ishte për nguti nuk t’u përgjigja. Po, gjejë rast për të biseduar me zotëriun në fjalë, vetëm duhet shikuar mos po bisedon ky shoku tjetër, me nënkuptim se sulmohemi për nepozitëm”, thuhet më tutje në përgjigjen e Gani Krasniqit.
Biseda vazhdon për ta sinkronizuar planin që të ‘rehatohet’ asamblisti i Vetëvendosjes në Ibër-Lepenc.
“Nëse mund ta takosh atë do të ishte mirë e për deputetin që mund të flas e kam bisedu me Albanin që të flas meqenëse e ka shok”, ia ktheu Veton Zogaj përgjigjen deputetit.
“Dosido do e takoj atë, por edhe Albani është si shoku i tij për këto çështje. Jo rastësisht janë shokë”, përfundoi përgjigja e fundit e deputetit Gani Krasniqi.
Nga burimet e veta Nacionale ka siguruar të gjitha vlerësimet që janë bërë në këtë konkurs. Në testin me shkrim, Zogaj ishte i dyti me 72 pikë. Megjithatë, rezultati u përmbys në intervistat me gojë. Aty, asamblisti i VV-së mori mbi 88 pikë. Bindshëm më shumë se të gjithë kandidatët e tjerë.