Iliria ishte e pafat në përballjen e së shtunës ndaj Pogradecit, duke mos shkuar më shumë se barazimi 0-0. Fushëkrujasit dominuan ndeshjen nga fillimi në fund, por nuk arritën të shënojnë, duke humbur disa raste të pastra goli.
Në minutën e 94-t, Brajan Selmani pati mundësinë “e artë” për të siguruar fitoren, por nga 5 metra larg portës goditi jashtë. Iliria synonte të merrte fitoren në këtë ndeshje vendimtare, por pas dy takimeve të para në “Redi Maloku” ka vetëm një pikë. Mungesa e finalizimit dhe fakti që pjesa më e madhe e lojtarëve u afruan vonë në merkaton e verës, e bëjnë ekipin ende të pa konsoliduar. Nga ana tjetër, Pogradeci erdhi kryesisht për të marrë një pikë dhe ia doli, duke u mbrojtur me kujdes gjatë gjithë ndeshjes. Vetëm dy gjuajtje në portë gjatë 90 minutave e tregojnë qartë këtë qasje, ku loja e tyre u mbështet kryesisht në kundërsulme.
Ndeshja
Takimi nisi me dy raste të rrezikshme për vendasit: fillimisht Kithamba dhe më pas Veriu gjuajtën drejt portës, por pa saktësi. Në minutën e 13-të, Mazrekaj krosoi në zonë, por Osikel nuk arriti ta prekte topin. Iliria humbi edhe tre mundësi të tjera të pastra me Kithamban (17’), Jakubun (23’) dhe Osikelin (27’), por shpëtimtar për miqtë u tregua kapiteni Zguro, i cili devijoi topin në këndore duke shmangur golin e sigurt. Në minutën e 36-të, Pogradeci pati rastin e parë me Danladin, por portieri Xhika reagoi shkëlqyeshëm. Pak më vonë, Selmani gjuajti me kokë, por portieri Staniç kontrolloi situatën. Pjesa e parë u mbyll pa gola.
Edhe në fraksionin e dytë ishte Iliria që kërkoi me ngulm golin, por shpërdorimi i rasteve dhe ndërhyrjet e sakta të mbrojtjes së Pogradecit, sidomos të Vangjel Zguros, e mbajtën portën të paprekur. Në minutën e 94-t, Brajan Selmani humbi rastin më të madh të takimit, duke gjuajtur jashtë nga një pozicion ideal përballë portës. Ndeshja pati edhe momente nervozizmi, ku gjyqtari Albert Doda ndëshkoi me karton të verdhë 6 lojtarë të Ilirisë dhe 3 të Pogradecit. Megjithatë, në fund çdo gjë përfundoi me barazimin 0-0 që u pranua nga të dyja palët.
Iliria – Pogradeci 0-0
Iliria: Xhika, A. Selmani, Krasniqi, Jakubu (Lika 80’), Joel Osikel, Mazrekaj (Dieye Abdoulaye 63’), B. Selmani,Kithambo, Peposhi, Arrabal, Veriu (Koleci 90’+2’). Në dispozicion: Jata, Kallaku, Stafa, Sejdiu, S. Selmani, Markoçi. Trajner: Dritan Smajli.
Pogradeci: Staniç, Toshevski, Lila (Gjoni 68’), Pere, Kazeem, Zguro, Santiago Rodrigues, Ezekiel, Kim Dohyun (Samake 77’), Avunyra, Danladi. Në dispozicion: Esafi, Kasmollari, Patushi. Trajner: Ardian Mema
Gjyqtarë: A. Doda, Er. Spahiu, A. Shkreta, Eg. Spahiu (Tiranë)
Delegat: Mario Kërtusha (Durrës)
Vëzhgues: Dritan Salaj (Shkodër)
Kartonë të verdhë: Arrabal 27’, Kithambo 39’, Krasniqi 54’, S. Selmani 59’, A. Selmani, 78’ Koleci 90’ / Danladi 41’, Santi 51’, Ezekiel 54’