Rritja e vazhdueshme e çmimeve po vazhdon të rëndojë jetën e qytetarëve të Kosovës, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë përballimin e kostos së jetesës. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni vjetor në muajin maj ka arritur në 6.8 për qind, ndërsa shtrenjtimit më të mëdha janë regjistruar në sektorët e transportit, energjisë, strehimit dhe produkteve ushqimore.
Megjithëse Qeveria ka ndërmarrë masa mbështetëse, përfshirë Pakon “Inflacioni 2.0”, njohës të ekonomisë dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit vlerësojnë se ndikimi i tyre në përmirësimin e fuqisë blerëse të qytetarëve dhe në zbutjen e kostos së jetesës mbetet i kufizuar.
Kreu i OEK-ut: Inflacioni po e gërryen qytetarin, pakoja “Inflacioni 2.0” pa efekt të dukshëm
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në një prononcim për FrontOnline vlerëson se inflacioni vazhdon të rëndojë ekonominë familjare dhe bizneset në vend. Sipas tij, niveli i inflacionit ka arritur në rreth 7 për qind, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e standardit jetësor të qytetarëve.
Rafuna thotë se efektet e shtrenjtimit vërehen qartë në shportën e konsumit, pasi çmimet e produkteve dhe shërbimeve janë rritur dukshëm krahasuar me vitin e kaluar dhe madje edhe me periudhën para gjashtë muajsh.
‘’Inflacioni po e gërryen qytetarin, tani ka arritur në shifrën rreth 7% dhe është më i larti jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë. Kjo ia ul standardin jetësor qytetarit. Nëse e krahasojmë shportën e qytetarit me vitin e kaluar ose vetëm para 6 muajve, shihet rritje e madhe e çmimeve dhe tregon nivelin e inflacionit’’, tha Rafuna për FrontOnline.