Investimi prej 74 milionë eurosh i paralajmëruar për Spitalin Klinik të Tetovës është prezantuar si projekt strategjik që synon transformimin dhe modernizimin e shërbimeve shëndetësore në Pollog. Megjithatë, pavarësisht premtimeve për investime, shumë detaje mbeten ende të paqarta, Ministria e Shëndetësisë nuk ka përgjigje konkrete lidhur me mënyrën e financimit, afatet e realizimit dhe dokumentacionin zyrtar të projektit, shkruan Portalb.mk.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu më 2 maj 2026 me tone optimiste paralajmëroi investim prej 74 milionë eurosh për transformimin e Spitalit Klinik të Tetovës, duke e cilësuar si projekt strategjik që “do ta ndryshojë përgjithmonë mënyrën e ofrimit të shërbimeve shëndetësore në Pollog”.
Megjithatë, pavarësisht deklaratave ambicioze dhe prezantimit publik të projektit, shumë detaje mbeten ende të paqarta.
Në postimin publik, ministri njoftoi për rikonstruksion të plotë të objekteve ekzistuese, pajisje moderne mjekësore, ndërtim të dy objekteve të reja dhe lidhje funksionale mes reparteve përmes korridoreve të mbyllura.
Projekti u prezantua si investim prej 4.56 miliardë denarësh, i cili sipas ministrit do të realizohet përmes kombinimit të mjeteve shtetërore dhe financimeve nga institucione financiare ndërkombëtare.
Megjithatë, në pyetjet e dërguara nga Portalb.mk lidhur me detajet konkrete të projektit, si ndarja e mjeteve, burimi i saktë i financimit, afatet kohore dhe ekzistimi i një plani apo studimi zyrtar, Ministria e Shëndetësisë nuk dha përgjigje konkrete.
“Aktualisht është në vijim procedura për përcaktimin e mënyrës dhe procedurës së financimit të projektit”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga aty ripërsëritën se investimi pritet të realizohet sipas praktikave më të mira ndërkombëtare, përmes kombinimit të mjeteve shtetërore dhe financimeve nga institucionet financiare ndërkombëtare, të strukturuara në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjate.
Nuk ka përgjigje nëse mjetet janë siguruar plotësisht, sa do të mbulojë shteti, nëse do të ketë kredi apo donacione dhe cilat institucione financiare ndërkombëtare do të përfshihen në financim.
Po ashtu, ministria nuk tregoi se kur konkretisht do të fillojnë punimet, sa do të zgjasin dhe në cilat faza do të realizohet projekti.
Ministria nuk u përgjigj as nëse ekziston plan zyrtar, studim fizibiliteti apo dokument strategjik mbi të cilin bazohet investimi prej 74 milionë eurosh.
Në vend të detajeve konkrete, Ministria e Shëndetësisë dha një përshkrim të përgjithshëm i cili nuk dallon nga njoftimi i ministrit të bërë më 2 maj 2026.
Ndryshe, në Spitalin e Tetovës së fundmi kanë bërë bujë protestat e punonjësve për vendime, konkurset e punësimit dhe ankesat.