Hetuesja e njohur në rastin e gjykimit të Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin e Hagës, Neveka Tromp, ka kritikuar ashpër zvarritjen e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), gjatë një proteste të mbajtur kundër Gjykatës Speciale në Prishtinë.
Tromp deklaroi se ish-krerët e UÇK-së kishin mbështetur themelimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, sepse kishin besuar në drejtësi dhe ndershmëri.
“Ata që sot po akuzohen, ishin vetë ata që mbështetën krijimin e Dhomave të Specializuara, sepse besonin në drejtësi dhe ndershmëri,” tha ajo.
Ajo e kritikoi zbatimin selektiv të drejtësisë, duke e cilësuar këtë si rrezik për vetë thelbin e drejtësisë ndërkombëtare.
“Nëse drejtësia zbatohet në mënyrë selektive, ajo rrezikon të kthehet në padrejtësi. Në raste të tilla, gjykimet nuk janë për të zbuluar të vërtetën, por janë gjykime të inskenuara,” shtoi Tromp.
Duke shprehur shqetësimin e saj për mbajtjen e zgjatur të të akuzuarve në paraburgim pa një proces të drejtë, ajo theksoi se besimi i tyre në drejtësi është thyer.
“Pesë vjet më vonë, ata ende ndodhen në paraburgim, pa një gjykim të drejtë. Por mos harroni – ata shkuan në Hagë sepse besuan në drejtësinë e kauzës së tyre. Lufta e tyre ishte e drejtë, një luftë e lejuar,” u shpreh Tromp.
Ajo përfundoi duke thënë se ligjet që rregullojnë luftën janë krijuar për të mbrojtur çlirimtarët dhe jo për t’i ndëshkuar ata, duke theksuar se një gjykatë që e harron këtë parim, rrezikon të humbasë legjitimitetin e saj.