Elbasani po kalon një moment mjaft pozitiv, ku rezultatet dhe mënyra se si po vijnë ato flasin për një skuadër me identitet të qartë.
Verdheblutë po tregojnë se dinë jo vetëm të luajnë mirë, por edhe të fitojnë ndeshje të vështira, duke marrë maksimumin edhe në momentet kur loja nuk shkon sipas dëshirës. Pikërisht kjo aftësi për të vuajtur dhe për të dalë fitues, sipas Mihal Gjikës, është një nga shenjat më të qarta të një ekipi të fortë.
Ish-kapiteni historik i Elbasanit, në një intervistë enkas për “Panorama Sport”, vë theksin te balanca dhe disiplina e skuadrës, elementë që, sipas tij, nuk janë aspak rastësorë. Megjithatë, ai paralajmëron se rruga është ende e gjatë dhe kërkon përqendrim maksimal, pasi vetëm një skuadër që ruan përulësinë dhe nuk nënvlerëson asnjë kundërshtar mund të shkojë deri në fund dhe të synojë titullin kampion.
Z. Gjika, Elbasani po kalon një moment pozitiv. Si e shihni këtë skuadër?
Është një Elbasan që më pëlqen, edhe për faktin se në fund arrin të marrë edhe fitoren. Ka balancë, ka disiplinë dhe mbi të gjitha ka shpirt skuadre. Kur sheh rezultatet dhe mënyrën se si vijnë ato, kupton që nuk janë rastësi. Kjo skuadër di çfarë kërkon në fushë.
Janë afër shpalljes kampionë dimri, sa e rëndësishme është kjo?
Kampioni i dimrit nuk të jep trofe, por të jep moral dhe besim. Është një sinjal i fortë për rivalët dhe për vetë skuadrën. Nëse Elbasani arrin këtë objektiv, do të jetë një hap shumë i rëndësishëm drejt titullit.
Mbrojtja duket pika më e fortë e skuadrës, me shumë pak gola të pësuar. Si e komentoni?
Një mbrojtje që nuk pëson është çelësi i suksesit. Thuhet shpesh se sulmi të fiton ndeshje, por mbrojtja të fiton kampionate. Kjo skuadër di të mbrohet mirë, është e organizuar dhe nuk panikoset kur e sheh veten në vështirësi.
Çfarë kujdesi duhet të tregojë Elbasani në vazhdim?
Kujdesi kryesor është të mos nënvlerësojë askënd. Kampionatet nuk fitohen me emra apo me renditje, por me përqendrim maksimal në çdo ndeshje. Çdo kundërshtar luan me maksimumin e saj ndaj një skuadre që kryeson dhe Elbasani duhet ta ketë parasysh këtë gjë. Të gjitha skuadrat do i luajnë fort, sepse duan të tregojnë veten.
Shumë fitore të vuajtura këtë sezon, sidomos kjo e fundit ndaj Vorës. Si e patë?
Fitoret e vuajtura të bëjnë më të fortë. Ato ndërtojnë karakter, të mësojnë si të menaxhosh presionin dhe momentet e vështira. Një skuadër që di të fitojë edhe kur nuk luan mirë, tregon që di të kalojë me sukses sprovat që ka përpara.
Si ish-kapiten, çfarë roli ka grupi dhe liderët në fushë?
Roli i grupit është vendimtar. Por, duhet të ketë edhe lojtarë që flasin, që marrin përgjegjësi dhe që mbajnë ekipin të bashkuar në situata të ndërlikuara. Gjithsesi, pa grup të fortë, as taktika dhe as talenti nuk mjaftojnë. Mund të fitosh një ndeshje, por jo të jesh konkurrent deri në fund. Ndaj duhet grupi dhe Elbasani atë e ka.
E shihni Elbasanin kampion në fund të sezonit?
Nëse vazhdon me këtë mentalitet, po. Por rruga është e gjatë. Duhet qetësi, përulësi dhe punë e përditshme. Kampionati fitohet hap pas hapi.
Një mesazh për tifozët verdheblu?
Tifozët janë pasuri e madhe, sidomos në këto kohë kur po i shohim stadiumet bosh. Le të vazhdojnë ta mbështesin skuadrën, sepse Elbasani mund të arrijë gjëra të mëdha. Megjithatë, unë kënaqem vetëm kur ta shoh stadiumin plot dhe uroj që ajo ditë të vijë sërish.