Rudi Vata, ish-kapiteni i Shqipërisë ka qenë i ftuar së fundmi në “RTSH Shkodra”. Ish-mbrojtësi ka analizuar sezonin e Vllaznisë në detaje, duke u ndalur në veçanti te humbja e fundit ndaj Egnatias.rudi vataShkodrani theksoi se rrogozhinasit ishin më lart se kuqeblutë, duke merituar gjithçka në fushën e lojës. Teksa ka kritika edhe për 9 herë kampionët e vendit, që, sipas Vatës, nuk e përgatitën siç duhet që në nisje finalen e 12 majit.
Vata, një finale zhgënjyese e Vllaznisë ndaj Egnatias apo jo?
Skuadra nuk i ndez asnjëherë në fushën e lojës. Nuk jam i brendshëm të di arsyen, por një finale kaq e madhe dhe e rëndësishme për Vllazninë duhej të ishte interpretuar shumë më ndryshe. Gjithsesi, tashmë gjithçka ka përfunduar, por ne duhet të analizojmë dhe “kritikojmë”. Sepse nëse s’ka kritika, s’ka as përmirësim dhe korrigjim për të ardhmen.
Shkodra sërish nuk e shijoi titullin kampion…
24 vite pa titull në Shkodër është një periudhë shumë e gjatë dhe e papranueshme për një ekip si Vllaznia. Për një popull që jeton me futbollin dhe që e dashuron atë aq shumë. Përgjegjësia është shumë e madhe të menaxhosh një ekip si Vllaznia. Dhe nëse diçka nuk shkon, në mentalitet, në kulturën e të punuarit 24 orë për këtë skuadër, atëherë do kesh edhe defiçitet e tua rrugës.
Ka keqardhje nga kjo performancë e Vllaznisë këtë edicion?
Të vjen keq sepse ishte një kampionat që nuk kishte një ekip dominues, pavarësisht se Egnatia ishte ndoshta gjysmë hapi para të tjerëve. Por nuk kishte një ekip që të fuste “frikën” apo që i dominoi rivalët nga fillimi në fund të edicionit. U tregua dominante ndaj Vllaznisë aty ku duhej, në finale. Me shkodranët që nuk shfaqën asgjë nga vlerat dhe cilësitë e tyre për të vënë sadopak në vështirësi kundërshtarin.
Çfarë nuk shkoi te Vllaznia?
Mendoj se të gjitha këto gabime që janë bërë dhe gjithë këto probleme që kanë kaluar për Vllazninë sigurisht duhen analizuar. Duhet t’i organizojë struktura e klubit, ku së pari duhet ndërtuar një mentalitet i shëndoshë dhe fitues. Duhet të gjenden njerëzit e duhur, që dinë dhe janë fitues. Sepse nëse do të arrish suksese duhet të realizosh me njerëz dhe individë që janë të aftë të të dërgojnë aty.
Ishte një rreshtim i gabuar i trajnerit apo thjesht futbollistët nuk ishin në ditën e tyre?
Taktikisht skuadra nuk e interpretoi siç duhet që nga fillimi duelin. Patjetër t’i mund të bësh një analizë paraprake për kundërshtarin, por edhe ata kanë marrë masat e tyre ndaj teje. Nuk mund të bësh ato gabime në rreshtime, duke nisur nga Dodaj. Që të gjithë e dinë që më të mirën e tij e jep në të majtë të sulmit, e ndërsa ndaj Egnatias u vendos djathtas. Aty u kuptua që ekipi i Vllaznisë nuk ishte aspak komod në rreshtim. Fakt që u shfrytëzua në maksimum nga kundërshtari, i cili thuajse asnjë moment nuk u ndje i rrezikuar.
Shumë kush komenton faktin që një qytet i vogël si Rrogozhina është dominuese ndaj djepit të futbollit shqiptar, Shkodrës. I qëndroni këtij mendimi?
Diçka nuk shkon në Shkodër, diçka nuk është në rregull. Sepse një ekip dhe qytet me gjithë këto kapacitete dhe futboll, nuk arrin të fitojë kampionatin prej 24 vitesh. E ndërsa kundërshtari i saj, Egnatia, që vjen nga një qytet i vogël, si Rrogozhina, por me investime serioze, në staf dhe futbollistë, për një kohë të shkurtër arrin të jetë dominuesja e futbollit shqiptar dhe kjo vetëm me meritë, ku duhen përgëzuar. Një shembull, që çdo gjë arrihet me projekte dhe seriozitet. Egnatia mund të jetë një klub i vogël, por me një seriozitet të madh. Faktorë që pastaj absolutisht të dërgojnë drejt trofeve dhe suksesve.
Ishte kjo Vllazni e gatshme për kampione?
Shiko, ekipi ka vuajtur disa herë gjatë sezonit në mbrojtje. Një skuadër për të dalë kampione në Shqipëri duhet të jetë pragmatiste dhe shumë e kujdesshme mbrapa. Nuk është Serie A apo Premier League këtu ku forcat dhe potencialet e ekipeve janë gjigante. Ky ishte një faktor që e penalizoi Vllazninë në opinionin tim gjatë këtij edicioni dhe patjetër ekipi duhet ta përmirësojë këtë për sezonin që vjen.
Tifozët ndoshta ishin ata që e vuajtën më tepër këtë disfatë në fund?
Ma merr mendja se shumica e tifozëve në mbarë vendin ishin atë ditë me Vllazninë. Pasi për shkodranët ishte ditë e shënuar, e veçantë. Sepse njerëzit kishin besim të pa tundur për fitimin e kampionatit. Unë isha në Shkodër edhe para dy muajsh dhe në qytet kishte doza të larta optimizimi që Vllaznia do ishte kampione. Ky besim dhe dashuri për ekipin e zemrës bënë të mbusheshin shkallët e “Arena Kombëtare”. Më vjen keq për tifozët, sepse lufta sportive në fushë, nuk iu përgjigj aspak nivelit të tyre në tribuna. Dhe duhen vlerësuar për sakrificat e tyre, jo vetëm sot, por gjatë gjithë historisë për të ndjekur ekipin e Vllaznisë kudo në mbarë vendin.