Një incident i rëndë i ka ndodhur ish-menaxherit historik të Mikael Shumakerit, Uilli Ueber, i cili është sulmuar dhe është grabitur në shtëpinë e tij në Shtutgart.
“Kam një sy të nxirë dhe ndihem tmerrësisht keq. Jam ende plotësisht i tronditur”, me këto fjalë e ka përshkruar Ueber për gazetën “Bild” gjendjen e tij pas agresionit të përjetuar në rezidencën e tij në fillim të kësaj jave.
Një goditje e rëndë për 83-vjeçarin, i cili ka kaluar një infarkt në vitin 2020 dhe një infeksion të rëndë dy vite më vonë. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur të martën e kaluar, kur tre persona të maskuar u futën herët në mëngjes në vilën e ish-menaxherit të Shumakerit.
Në shtëpi ndodheshin edhe ish-bashkëshortja e tij si dhe ndihmësja, ndërsa të tre u sulmuan dhe u lidhën. Sipas tabloidit gjerman, njëri prej tyre arriti të çlirohej dhe të thërriste policinë, por autorët, tre persona me kapuç dhe veshje të errëta, ende nuk janë identifikuar. Hajdutët u larguan me para dhe bizhuteri me vlerë prej qindra mijëra eurosh, të marra nga kasafortat e vilës së madhe katërkatëshe të familjes Ueber në Shtutgart.
Ueber konsiderohet si zbuluesi i Mikael Shumakerit, pasi afroi atë në vitin 1989 për të garuar në kampionatin gjerman, të cilin Shumi e fitoi një vit më vonë në 1990-ën. Më pas ndërmjetësoi kalimin e pilotit te Mercedesi për garat e Kampionatit Botëror të “Endurance” dhe e çoi në debutimin e tij në Formula 1 me Jordanin në Çmimin e Madh të Belgjikës në vitin 1991.
Përveç Mikaelit, Ueber ka menaxhuar edhe vëllain e tij Ralf si dhe Niko Hulkenbergun. Jashtë botës së sportit, menaxhimi i tij ka përfshirë në të kaluarën edhe supermodelet Naomi Kambell dhe Klaudia Shifer.