Protagonistët e Kombëtares në sfidën e humbur kundër Anglisë nuk janë të kënaqur me rezultatin, pasi mendojnë se mund të kishin bërë më mirë. Sipas tyre rezultati 0-2 mund të kishte qenë ndryshe, por në të njëjtën kohë mbeten optimistë për të ardhmen.
“Kemi bërë 70 minuta jashtëzakonisht të mirë. Në pjesën e dytë me pak fat, me Arbër Hoxhën patëm mundësi të kalonim edhe në avantazh,”-u shpreh Ardian Ismajli, futbollist i Kombëtares.
“Mendoj që bëmë maksimumin, por morëm një gol shumë naiv që s’duhet ta merrnim dhe më pas u prishën ekulibrat,”-tha Ylber Ramadani, futbollist i Kombëtares.
“Patëm disa probleme kur Shqipëria kundërsulmonte. Ndeshja u luajt në një atmosferë shumë të mirë dhe ne arritëm ta mbajmë portën të paprekur në fund të kualifikueseve. Mendoj se ishte një test i mirë,”-deklaroi Dean Henderson, portieri i Anglisë.
“Kemi bërë 70 minuta shumë të mira. Kemi qenë kompakt si skuadër. Jemi mbrojtur mirë, por gjynah se morëm një gol nga goditje e këndit, ndërsa tani presim kundërshtarët që do të kemi në mars,”-tha Kristjan Asllani, futbollist i Kombëtares.
Më 20 nëntor Kombëtarja do të mësojë rivalët për shortin e ‘play-off’, që do të luhet më 26 dhe 31 mars.
“T’jemi shëndoshë e mirë të gjithë lojtarët deri në mars. T’jemi sëbashku siç kemi qenë deri më tani dhe me pak fat do arrijmë të bëjmë sërish shqiptarët krenarë,”-u shpreh Ardian Ismajli, futbollist i Kombëtares.
“Preferenca nuk ka në futboll, por do ta vendosë shorti. Ne jemi gati, një grup shumë i mirë lojtarësh. Nuk bëhemi nervoz se kush luan dhe kush nuk luan. Mendoj se kjo veti mund të na dërgojë në botëror,”-tha Ylber Ramadani, futbollist i Kombëtares.
Ylber Ramadani ishte futbollisti i vetëm i cili u ndëshkua me karton të verdhë kundër Anglisë, por edhe për shkak të zgjedhjeve të Sylvinho-s, asnjë lojtar nuk do të mungojë për shkak kartonësh në ndeshjet e ‘play-off-it’ të Botërorit.