Ushtria izraelite ka njoftuar shkarkimin e tre gjeneralëve që mbanin poste kyçe gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, duke theksuar se ata mbanin përgjegjësi të drejtpërdrejtë për dështimin në parandalimin e ngjarjes. Sipas deklaratës së publikuar të dielën në mbrëmje, nga detyrat e tyre në rezervë janë liruar gjenerali Aaron Haliva, që në atë kohë drejtonte shërbimin e inteligjencës së ushtrisë, gjenerali Oded Bashiuk, që drejtonte operacionet, dhe gjenerali Yaron Finkelman, i cili atë ditë ishte përgjegjës për Komandën e Sektorit Jugor që përfshin Rripin e Gazës. Ushtria bëri të ditur se të tre nuk do të jenë më pjesë e strukturave të saj.
Gjenerali Haliva ishte i pari që dha dorëheqjen në vitin 2024 duke pranuar përgjegjësinë për dështimin tragjik, ndërsa gjenerali Finkelman u largua për të njëjtat arsye. Ndërkohë, gjenerali Bashiuk u tërhoq pas përfundimit të luftës 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit. Në deklaratën zyrtare thuhet se tre gjeneralët mbajnë përgjegjësi personale për mungesën e parashikimit dhe për mosreagimin e duhur ndaj sulmit të Hamasit. Shkarkimet erdhën pasi u publikua raporti i një komisioni ekspertësh, i kërkuar nga shefi i ushtrisë, Eyal Zamir, i cili cilësoi se brenda aparatit ushtarak kishte pasur një dështim afatgjatë sistemik dhe organizativ. Raporti evidentoi një dështim të perceptimit për shkak të hendekut midis realitetit strategjik dhe perceptimeve të brendshme mbi situatën në Rripin e Gazës dhe Hamasin. Ai vuri në dukje gjithashtu dështimin e Shërbimit të Inteligjencës për të ngritur alarmin pavarësisht disponimit të informacionit të mjaftueshëm dhe cilësor, si dhe procese të pamjaftueshme vendimmarrjeje dhe vendosjeje forcash natën e 7 tetorit 2023. Sipas komisionit, dështime u identifikuan edhe në Shtabin e Përgjithshëm, Drejtorinë e Operacioneve, Inteligjencën Ushtarake, Komandën Jugore, Forcat Ajrore dhe Marinën.
Përveç tre gjeneralëve të shkarkuar, ushtria izraelite njoftoi masa disiplinore ndaj drejtuesit të Forcave Ajrore, gjeneralit Tomer Bar, dhe drejtuesit të Marinës, zëvendës admiralit David Shaar Salma. Masa të ngjashme disiplinore do të merren edhe ndaj katër gjeneralëve të tjerë dhe katër oficerëve të lartë.