Izraeli ka sulmuar pas mesnate centralet bërthamore në vende të ndryshme të Iranit. Shpërthime janë raportuar edhe në Teheran. Një valë tjetër sulmesh u raportuan sërish më vonë. Sulmet u kryen në 8 qytete. Të paktën pesë persona u vranë dhe 50 të tjerë janë plagosur. Viktimat u raportuan në zonën Narmak të Teheranit.
Sipas La Repubblica, ushtria izraelite ka sulmuar të paktën 6 baza rreth Teheranit, përfshirë bazën Parchin, një kompleks prodhimi raketash i dyshuar në të kaluarën se është përfshirë në teste bërthamore. Avionët luftarakë izraelitë goditën edhe centralin bërthamor Natanz, në jug të Teheranit, por edhe disa pozicione ushtarake të vendosura në periferi të kryeqytetit. Përveç qytetit kryesor të vendit, Tabrizit, në veriperëndim dhe ku ndodhen rafineritë kryesore, u sulmuan edhe qytetet e Esfahanit, Arakut dhe Kermanshahit.
Sipas mediave, në Teheran, sulmi izraelit goditi disa ndërtesa që strehonin komandantë të lartë ushtarakë iranianë. Një zyrtar izraelit i mbrojtjes tha se sulmi kishte në shënjestër edhe Shtabin e Përgjithshëm iranian, përfshirë shefin e shtabit, dhe shkencëtarët kryesorë bërthamorë iranianë.
Shkencëtari bërthamor Mohammad-Mehdi Tehranchi dhe ish-kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, Fereidoun Abbasi, u vranë në sulme. Raportohet se është vrarë gjithashtu edhe Komandanti i Gardës Revolucionare, Hossein Salami.
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei tha në një deklaratë se Izraeli kishte “lëshuar dorën e tij të ligë dhe të përgjakshme” dhe se do të kishte “një fat të hidhur për veten”. “Regjimi sionist i ka sjellë vetes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm”, tha Ali Khamenei, duke përsëritur se Izraeli “do të vuajë një ndëshkim të rëndë”.
Nga ana tjetër, Izraeli shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në pritje të sulmeve hakmarrëse me raketa dhe dronë. Ministria e Transportit njoftoi se hapësira ajrore e shtetit të Izraelit deri jetë e mbyllur deri në njoftim të mëtejshëm. IDF tha se dhjetëra avionë të Forcave Ajrore kryen sulmin fillestar në kuadër të operacionit “Luani që ngrihet”. Sipas IDF, sulmi ishte në përgjigje “të agresionit të vazhdueshëm të regjimit iranian kundër Izraelit”.
Kryeministri izraelit Benjamin Netahyani deklaroi se kishin goditur “zemrën e programit të pasurimit bërthamor të Iranit dhe përpjekjet e tij për të zhvilluar një armë bërthamore”, duke shtuar se sulmi kishte në shënjestër impiantin kryesor të pasurimit të Iranit në Natanz, si dhe shkencëtarët kryesorë bërthamorë iranianë të përfshirë në zhvillimin e bombës dhe thelbin e programit të raketave balistike të vendit.
“Ne do të vazhdojmë për ditë të tëra, për aq kohë sa të duhet”, shtoi Netanyahu.
Ndërkohë, SHBA-të kanë deklaruar se kanë qenë në dijeni të sulmit, por nuk janë përfshirë. Presidenti amerikan e tha këtë për Fox Neës. Por edhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio, deklaroi:
“Sonte, Izraeli ndërmori veprime të njëanshme kundër Iranit. Ne nuk jemi të angazhuar në sulme kundër Iranit dhe përparësia jonë kryesore është të mbrojmë forcat amerikane në rajon. Izraeli na ka komunikuar se beson që ky veprim është i nevojshëm për vetëmbrojtjen e tij”, tha Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio.
“Presidenti Trump dhe administrata kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur forcat tona dhe për të mbetur në kontakt të ngushtë me partnerët tanë rajonalë. Më lejoni të jem i qartë: Irani nuk duhet të synojë interesat ose personelin amerikan”, përfundoi Rubio.
Arsyeja pse Izraeli sulmoi Iranin dhe pse pikërisht tani?
Spekulimet rreth një sulmi izraelit ndaj centraleve bërthamore të Iranit kanë qarkulluar prej vitesh, por ato u intensifikuan ndjeshëm ditët e fundit. Kështu shkruan gazetari Raffi Berg në një artikull të botuar në të përditshmen BBC.
Izraeli ka qenë i shqetësuar se bisedimet midis SHBA-së dhe Iranit (të cilat kanë vazhduar që nga prilli) mbi një marrëveshje të re bërthamore mund ta lënë Iranin me një program bërthamor – diçka që Izraeli ka thënë se nuk mund ta pranojë në asnjë formë.
Ka paralajmëruar për vite me radhë për atë që e percepton si një kërcënim ekzistencial nga programi bërthamor i Iranit.
Irani ka mohuar vazhdimisht se synon të ketë armë bërthamore, duke këmbëngulur se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime paqësore dhe civile. Por fuqitë perëndimore dhe organi global bërthamor, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), nuk janë të bindura.
Të enjten, IAEA miratoi një rezolutë, për herë të parë në 20 vjet, duke e deklaruar Iranin në shkelje të detyrimeve të tij bërthamore.
Duke folur ndërsa sulmet po kryheshin, Netanyahu tha se Irani kishte prodhuar material të mjaftueshëm për nëntë bomba bërthamore, diçka në përputhje me një vlerësim të kohëve të fundit të IAEA-s. Sipas Netanyahut, Irani, kërcënonte “vetë mbijetesën” e Izraelit.
Duket se, duke vendosur të sulmojë tani, Izraeli po shfrytëzon një mundësi: Irani ende nuk i ka rindërtuar mbrojtjet ajrore të cilat u degraduan nga një sulm izraelit në tetor dhe një sulm parandalon raundin tjetër të bisedimeve bërthamore që do të zhvillohen të dielën.
Komandantë dhe shkencëtarë bërthamorë, 5 figurat kyçe iraniane që u vranë në sulmin izraelit! Mes tyre edhe shefi i Gardës Revolucionare Islamike
Në operacionin “Luani ngrihet”, për të cilin tha se kishte për qëllim të pengonte programin bërthamor të Iranit, raportohet se janë vrarë figura të larta ushtarake iraniane dhe shkencëtarë bërthamorë. BBC, duke cituar mediat shtetërore iraniane, raporton se bëhet fjalë për:
– Hossein Salami, komandanti i përgjithshëm i Gardës Revolucionare Islamike.
– Gholamali Rashid, komandanti i Shtabit Qendror të Khatam-al Anbiya.
– Fereydoon Abbasi, shkencëtar bërthamor dhe ish-kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit.
– Mohammad Mahdi Tehranchi, një tjetër shkencëtar bërthamor i përfshirë në programin e armëve bërthamore të Iranit.
– Mohammad Bagheri, Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit.
Ndërkohë, Ali Shamkhani, këshilltari i lartë i udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, është plagosur rëndë, sipas raportimeve iraniane.
Sulmet ajrore ndaj centraleve bërthamore në Iran, Teherani lëshon 100 dronë drejt Izraelit
Foto: Sulmi izraelit në Iran
Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Gjeneral Brigade Effie Defrin, ka raportuar se Irani ka lëshuar rreth 100 dronë drejt territorit izraelit.
Gjenerali Defrin shton se shefi i shtabit të ushtrisë iraniane, komandanti i Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC) të Iranit dhe komandanti i komandës së emergjencës së Iranit u vranë gjatë sulmeve.
Mediat shtetërore iraniane raportuan gjithashtu se Hossein Salami, shefi i Gardës Revolucionare, ka humbur jetën si pasojë e sulmeve.
Ndërkohë në Izrael është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.
Trump: E dija për sulmin e Izraelit ndaj Iranit, por SHBA-të nuk janë përfshirë
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha në një intervistë me Fox News se ai dinte paraprakisht për planet e Izraelit për të sulmuar Iranin, por përsëriti se SHBA-të nuk ishin të përfshira.
Uashingtoni, shtoi ai, kishte njoftuar të paktën një aleat kyç në Lindjen e Mesme se sulmi do të ndodhte. Trump theksoi se SHBA-të janë gati të mbrojnë veten dhe Izraelin në rast të një hakmarrjeje nga Irani.
“Unë gjithmonë shpresoj për negociata”, tha ai, duke shtuar se Irani “nuk mund ta ketë armën bërthamore”.
Sulmet izraelite në Iran, zyrtari: Përgjigjia ndaj tyre do të jetë e ashpër dhe vendimtare
Irani po planifikon të “japë një përgjigje të ashpër” Izraelit pasi sulmit që ai kreu, tha një burim iranian i sigurisë për Reuters.
“Përgjigja ndaj sulmit izraelit do të jetë e ashpër dhe vendimtare”, tha zyrtari, duke shtuar se detajet e hakmarrjes së Iranit po diskutohen në nivelet më të larta, ndërsa u pyet nëse sulmi do të ishte i afërt.