Luftime të ashpra gjatë natës midis Izraelit dhe Iranit, sulme që vijnë pasi Izraeli nisi ofensivën e tij më të madhe ajrore ndonjëherë kundër armikut të tij të hershëm në një përpjekje për ta parandaluar atë të zhvillojë armë bërthamore.

 

Sirenat e sulmeve ajrore u dëgjuan në Tel Aviv dhe Jerusalem, dy qytetet më të mëdha të Izraelit, duke i detyruar banorët të nxitonin në strehimore ndërsa valë të njëpasnjëshme raketash iraniane përhapeshin në qiell.

Izraeli po ashtu sulmoi edhe rezidencën e udhëheqësit suprem të Iranit Khameneit. Agjencia e lajmeve Fars tha se dy predha goditën aeroportin Mehrabad të Teheranit.  Në kundërsulm ata shënjestruan Jerusalemin dhe Tel Avivin. Deri më tani raportohen 3 të vdekur dhe 80 të plagosur.

 

Përfaqësuesi i Iranit në OKB thotë se numri i të vdekurve iranianë nga sulmet e fundit izraelite ishte 78 , me më shumë se 320 të plagosur, ai shtoi se “shumica dërrmuese” janë civilë.

Thirrjet që të dyja palët të tregojnë përmbajtje kanë vazhduar. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, thotë: “Mjaft me përshkallëzimin. Koha për të ndaluar” Ndërkohë, në OKB, ambasadori izraelit tha: “Pritja jonë ka mbaruar, ne do ta çmontojmë programin bërthamor të Teheranit”.

Izraeli sulmoi Iranin në orët e para të mëngjesit të së premtes me objektiv centralet bërthamore dhe infrastrukturën ushtarake duke goditur 200 prej tyre në të gjithë Iranin. Nga sulmet u eliminua zinxhiri ushtarak, pasi u vranë rreth 20 komandantë të lartë ushtarakë dhe 7 shkencëtarë.

 

Irani: Bisedimet bërthamore me SHBA-në janë të ‘pakuptimta’ pas sulmit të Izraelit

Irani tha të premten se dialogu me SHBA-në mbi programin bërthamor të Teheranit është “i pakuptimtë” pas sulmit më të madh që kreu ushtaria izraelite.

“Pala tjetër (SHBA-ja) veproi në një mënyrë që e bën dialogun të pakuptimtë. Nuk mund të pretendosh se negocion dhe në të njëjtën kohë të ndash punën duke lejuar regjimin sionist (Izraelin) të shënjestrojë territorin e Iranit”, citoi agjencia e lajmeve Tasnim zëdhënësin e ministrisë së jashtme Esmaeil Baghaei.

Ai tha gjithashtu se Izraeli “ia doli mbanë të ndikonte” në procesin diplomatik dhe se sulmi izraelit nuk do të kishte ndodhur pa lejen e Uashingtonit.

Irani akuzoi SHBA-në se ishin bashkëpunëtor në sulmet e Izraelit, por Uashingtoni i mohoi akuzat teksa i theksoi Teheranit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se do të ishte “e mençur” të negocionte për programin e tij bërthamor.

Raundi i gjashtë i bisedimeve bërthamore SHBA-Iran ishte planifikuar të mbahej të dielën në Muscat, por nuk ishte e qartë nëse do të vazhdonte pas sulmeve izraelite.

Irani mohon se programi i tij i pasurimit të uraniumit ka për qëllime të tjera përveç atyre civile, duke hedhur poshtë akuzat izraelite se po zhvillon fshehurazi armë bërthamore.

 
 

Përkeqësohet bilanci i sulmit ndaj Izraelit, 3 të vdekur dhe mbi 80 të plagosur

Në agim të ditës së sotme, një valë e re sulmesh ka goditur Izraelin. Sipas agjencisë iraniane Irna, raketat janë lëshuar nga kryeqyteti Teheran dhe nga Kermanshah, në Iranin perëndimor, drejt objektivave në zemër të Izraelit.

Më shumë se 80 persona kanë mbetur të plagosur nga sulmet, tre prej të cilëve kanë ndërruar jetë nga plagët e marra. Sipas The Times of Israel, disa nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë.

Mediat iraniane raportojnë se qindra raketa janë lëshuar gjatë sulmit të parë, të nisur në orët e vona të së premtes.

 

Izraeli vijon sulmet ndaj Iranit: Po eliminojmë kërcënimet

1749846394_4772ea728f9a4df4b609de32725.jpg

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë deklaruar se po vazhdojnë sulmet ajrore ndaj objektivave në Iran.

Në një njoftim të shkurtër të publikuar në Telegram, IDF shkruan se “Forcat Ajrore të Izraelit vazhdojnë të godasin objektiva për të eliminuar kërcënimet në Iran”.

Ky zhvillim vjen më shumë se 24 orë pas sulmit fillestar të Izraelit ndaj bazave ushtarake iraniane, ku sipas IDF-së, u vranë tre komandantë ushtarakë iranianë.

Pas këtij sulmi, Irani ka ndërmarrë sulme me raketa ndaj Izraelit në orët e mëngjesit të së shtunës.