Kryeministri Edi Rama ka lënë një mesazh prekës në librin e ngushëllimeve për ndarjen nga jeta të mjeshtrit të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti. Në fjalët e tij, Rama nënvizon lidhjen e thellë shpirtërore të artistit me vendlindjen dhe qetësinë që ajo simbolizon pas një jete të mbushur me krijimtari.
“Jam i bindur se e ke menduar shpesh këtë ditë ditën kur do të largoheshe përgjithmonë nga zhurma e qytetit për të gjetur prehje në Vunoin tënd të dashur. Aty ku paqja e merituar do të të rrethojë përgjithnjë, si një kurorë nderimi për jetën dhe veprën tënde.”
Me mall, Edi
Dhimitër Anagnosti, një nga emrat më të mëdhenj të kinemasë shqiptare, u nda nga jeta duke lënë pas një trashëgimi të vyer artistike. Vunoi, fshati i tij i lindjes, pritet të bëhet vendi i prehjes së tij të fundit — një kthim simbolik në rrënjët dhe qetësinë që ai vetë e ka ndjerë gjithmonë si shtëpi.