Raketa H3 (fluturimi i 7-të) e Agjencisë Japoneze të Eksplorimit Hapësinor (JAXA), që mbart anijen e re të ngarkesave HTV-X, u lëshua nga Qendra Hapësinore Tanegashima në Minamitane, ishulli Tanegashima, Japonia jugore, të dielën, më 26 tetor 2025. Kredite: Kotaro Ueda/Kyodo News përmes AP.
Agjencia Hapësinore Japoneze (JAXA) lansoi me sukses të dielën raketën e saj më të fuqishme, modelin kryesor H3, e cila mbante në bord anijen e re të ngarkesave pa pilot HTV-X1, në misionin e saj të parë për të dërguar furnizime në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS).
Sipas JAXA-s, anija HTV-X1 u ngrit me sukses në bord të raketës H3 nr. 7 nga Qendra Hapësinore Tanegashima, në jug të Japonisë, dhe hyri në orbitën e synuar 14 minuta pas lëshimit.
Agjencia konfirmoi se anija u nda nga raketa dhe u vendos në orbitën e planifikuar. Nëse gjithçka shkon sipas planit, ajo pritet të mbërrijë në ISS brenda disa ditësh për të dorëzuar furnizimet. Astronauti japonez Kimiya Yui, aktualisht në bord të ISS, do ta kapë anijen me një krah robotik në orët e para të mëngjesit të së enjtes.
HTV-X është pasuesi i anijes së mëparshme H-II Transfer Vehicle (Kounotori) – që në japonisht do të thotë “lejlek” – e cila kreu nëntë misione drejt ISS midis viteve 2009 dhe 2020.
Anija e re mund të mbajë më shumë ngarkesë dhe ka aftësi të furnizojë me energji elektrike gjatë fluturimit, gjë që i mundëson transportin e mostrave laboratorike që kërkojnë ruajtje në temperatura të ulëta.
HTV-X është projektuar të qëndrojë e lidhur me ISS deri në gjashtë muaj, për të dorëzuar furnizime dhe për të marrë mbeturina nga stacioni. Pas ndarjes nga ISS, ajo do të vazhdojë një mision teknik tre-mujor në orbitë për testime dhe eksperimente shtesë.
Lansimi i së dielës përfaqëson gjithashtu debutimin e suksesshëm të versionit më të fuqishëm të raketës H3, e cila ka katër përforcues shtesë dhe një kapsulë më të madhe për ngarkesat, sipas zyrtarëve të JAXA-s.
Presidenti i JAXA-s, Hiroshi Yamakawa, e quajti këtë lëshim “një hap madhor përpara” që dëshmon aftësinë e Japonisë për të dërguar furnizime në hapësirë — “një bazë thelbësore për aktivitetet e pavarura hapësinore,” shtoi ai.
Iwao Igarashi, kreu i Departamentit të Biznesit Hapësinor në Mitsubishi Heavy Industries, kompania që bashkëpunon me JAXA-n në zhvillimin dhe operimin e raketave, tha se suksesi i sotëm tregon besueshmërinë e Japonisë në lansime të sakta dhe në kohë. Ai shtoi se raketa e përmirësuar H3 mund të përshtatet me një gamë të gjerë nevojash të klientëve dhe se kompania synon të zgjerojë kapacitetet e saj të lëshimit.
H3 zëvendëson raketën e njohur H-2A, e cila kreu fluturimin e saj të fundit në qershor 2025. Modeli i ri është projektuar të jetë më ekonomik dhe më konkurrues në tregun global të hapësirës.
Pas një përpjekjeje të dështuar në vitin 2023, H3 ka realizuar gjashtë fluturime të suksesshme radhazi, duke dëshmuar stabilitetin dhe besueshmërinë e saj.
Japonia e konsideron zhvillimin e një kapaciteti të qëndrueshëm dhe konkurrues të transportit hapësinor si një pjesë thelbësore të programit të saj hapësinor dhe të sigurisë kombëtare.