Java e Kulturës Spanjolle do të mbyllet më 7 nëntor, në Qendrën “UNED” në Gjirokastër, me koncertin e kitaristit Denis Bizhga, themelues dhe drejtor artistik i “Albania International Guitar Festival”, i cili do të interpretojë vepra të Francisco Tarrega dhe Isaac Albeniz,
Java e Kulturës Spanjolle po vjen në Tiranë dhe Gjirokastër nga 3 deri më 7 nëntor, duke sjellë një program të pasur me letërsi, muzikë, kinema dhe gastronomi spanjolle që do t’i afrojnë publikun shqiptar me traditat dhe emocionet e vendit iberik.
Me mbështetjen e Ministrisë së Tirizmit, Kulturës dhe Sportit, këtë të hënë më 3 nëntor, në Librarinë “Babel”, do të prezantohet në shqip libri “Anatomia e një çasti” i Javier Cercas, një vepër që rikthen ngjarjet e 23 shkurtit 1981, ditën e tentativës së dështuar të grushtit të shtetit në Spanjë, ndërthur historinë me reflektimin personal mbi momentet që formësojnë një komb. Në prezantim do të marrin pjesë përkthyesi Bashkim Shehu, Preç Zogaj dhe Artan Puto, me moderimin e Arlinda Dudajt, ndërsa hyrja do të jetë e lirë për të gjithë.
Po këtë të hënë, në Katedralen Ortodokse në Tiranë, balerina andaluziane Lucia La Bronce do të sjellë shfaqjen flamenko “Recondito”, një performancë intime dhe e fuqishme ku kërcimi, kënga, kitarat dhe perkusioni ndërthuren për të rikthyer shpirtin autentik të flamenkos. Lucia, finaliste dhe fituese çmimesh prestigjioze në Spanjë, do të interpretojë së bashku me katër artistë të tjerë, duke ofruar një mbrëmje plot emocione, gjithashtu me hyrje të lirë.
Ndërkohë nga data 4 deri më 6 nëntor, Qendra e Artit “Agimi” do të presë tre filma bashkëkohorë spanjollë: më 4 nëntor do të shfaqet “En los margenes” i Juan Diego Botto, një dramë që trajton ndikimin e krizës ekonomike në jetën e njerëzve, më 5 nëntor do të jetë “Cien anos de perdon” i Daniel Calparsoro, një thriller ku një grabitje banke shndërrohet në intrigat politike, dhe më 6 nëntor do të shfaqet “Ventajas de viajar en tren” i Aritz Moreno, një rrëfim psikologjik dhe satirik ku realiteti dhe imagjinata bashkohen në mënyrë surprizuese. Hyrja do të jetë e lirë për publikun.
Më 5 nëntor, në restorantin “Kope” në Tiranë, do të zhvillohet një degustim ekskluziv verërash nga kantina spanjolle “Emilio Moro”, i udhëhequr nga Teresa Aumesquet, drejtoreshë komerciale për Evropën, ku pjesëmarrësit do të eksplorojnë shijet dhe karakteristikat unike të verërave, nën udhëheqjen e ekspertëve të fushës, me rezervim paraprak.
Më 6 nëntor, restoranti “Gjeli i Pazarit” do të presë “Vamos de Tapeo”, një mbrëmje gastronomike kushtuar tapas, pjata tradicionale spanjolle të shoqëruara me birrë dhe sangria, një eksperiencë autentike që përfaqëson shpirtin e kulturës spanjolle dhe promovon bashkëbisedimin dhe ndarjen e këndshme të momenteve me miqtë dhe familjen, ku pjesëmarrja kërkon rezervim paraprak.
Java e Kulturës Spanjolle do të mbyllet më 7 nëntor, në Qendrën “UNED” në Gjirokastër, me koncertin e kitaristit Denis Bizhga, themelues dhe drejtor artistik i “Albania International Guitar Festival”, i cili do të interpretojë vepra të Francisco Tarrega dhe Isaac Albeniz, duke ofruar një udhëtim muzikor të pasur, ku pasioni, lirizmi dhe eleganca e kitarës klasike do të lidhin publikun me traditën dhe emocionet e Spanjës.