Një ditë pas adresimit para Parlamentit izraelit Knesset, Kryeministri Rama iu drejtua me një fjalim të veccantë Konferencës ndërkombëtare për Luftën Kundër Anti-Semitizmit, të mbajtur në Jerusalem.
Në Ditën e Kujtesës së Holokaustit, kreu i qeverisë e ngriti edhe një herë lart shembullin dhe e shqiptarëve që në ditët më të errëta e shndërruan Shqipërinë në strehën e pakushtëzuar të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Kur Shqipëria u bë i vetmi vend në Evropë që nuk dorëzoi asnjë hebre dhe i vetmi ku, siç është thënë, popullsia hebre u rrit gjatë luftës. Ndërsa hebrenjtë po largoheshin nga vendet e tjera për t’i shpëtuar vdekjes, shumë prej tyre erdhën në Shqipëri për të shpëtuar jetën e tyre nën premtimin e Besës, fjalës sonë të shenjtë të nderit, një premtim që mbrohet me jetën vetë”, tha Rama.
Kur antisemitizmi, ose urrejtja ndaj hebrenjve, ka filluar të ngrejë sërish krye, Shqipëria thotë kryeministri Rama vijon të jetë e palëkundur në mbrojtjen e jetës dhe vlerave në një kohë
“Sot, antisemitizmi po rishfaqet sërish hapur dhe pa turp, shpesh i maskuar si kritikë politike, ankth kulturor ose, edhe më keq, si epërsi morale. Shpesh harrohet se urrejtja që nis me hebrenjtë nuk përfundon kurrë me hebrenjtë.
Shqipëria qëndron fuqishëm kundër antisemitizmit, pa paqartësi dhe pa përjashtime, ashtu siç qëndrojmë kundër islamofobisë, racizmit dhe çdo ideologjie që i redukton qeniet njerëzore në objektiva”, tha Rama.
Për luftën në Gaza, kryeministri Rama është i bindur se do të mbarojë vetëm atëherë kur palestinezët të çlirohen nga terrori i Hamasit.
“Nuk duhet të humbasim nga sytë faktin shumë të qartë se terrori në Gaza funksionon si një thikë me dy tehe. Njëri teh është në fytin e popullit hebre; tjetri teh është në fytin e popullit palestinez. Dhe pikërisht për këtë arsye nuk mund të ketë paqe pa një udhëheqje palestineze të përkushtuar ndaj jetës së palestinezëve, jo ndaj vdekjes së izraelitëve”, tha Rama.
Në Jerusalem Kryeministri Rama u prit në një takim të veçantë nga homologu izraelit, Netanjahu, ndërsa kulmin vizita zyrtare e arriti me fjalimin para parlamentit, ku mori mirënjohjen hebreje për miqësinë dhe sakrificën e shqiptarëve.