Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas tha se zgjedhjet e djeshme parlamentare në Kosovë hapin derën për të dalë nga bllokada që e përcolli vendin pas më shumë se një viti.
Kallas shkroi në një postim në X se “zgjedhjet demokratike dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë hapin derën për të kthyer faqen pas më shumë se një viti bllokade politike”.
“Liderët politikë tani duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive për të siguruar formimin e shpejtë të qeverisë”, tha ajo.
Shefja e diplomacisë së BE-së e përmendi edhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke e quajtur normalizimin e marrëdhënieve midis vendeve si thelbësor për ecjen përpara të Kosovës në rrugën e integrimit.
“Përparimi në Dialogun Beograd-Prishtinë dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mbeten thelbësore për avancimin e Kosovës në rrugën e saj europiane”, shkroi ajo.