Përfaqësuesja e Lartë për Politike të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ndalon sot në Shqipëri në turin e vizitës së saj në Ballkanin Perëndimor. Pasi vizitoi Malin e Zi, ku u takua me presidentin Jakov Millatoviq, kryeministrin Millojko Spajiq dhe përfaqësues të shoqërisë civile, Kallas viziton sot Tiranën.
Ajo do të takohet me Presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Me këtë të fundit do të mbajë edhe një konferencë të përbashkët për media.
Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të takohet edhe me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe Ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu. Ajo do të hapë bashkërisht Dialogun e parë BE-Shqipëri për Sigurinë dhe Mbrojtjen me ministrat Hasani dhe Vengu.
“Po ashtu, Kallas do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të grantit nga Banka Evropiane për Investime dhe të marrëveshjeve të huas për hekurudhën Durrës-Rrogozhinë”, thuhet në njoftimin e BE.
Ndalesa e fundit e vizitës në Ballkanin Perëndimor, do të jetë nesër më 9 prill në Bosnje e Hercegovinë, ku Kallas do të zhvillojë takime me krerët e Presidencës trepalëshe, me kryetaren e Këshillit të Ministrave dhe me ministrin e Jashtëm të Bosnjës dhe me përfaqësuesit e forcës evropiane në Bosnje, EUFOR.