Drejtoria e Policisë Financiare ka ngritur kallëzim penal kundër tetë personave, mes tyre Blerim Bexheti, si dhe ish-zyrtarë të tjerë të Komunës së Sarajit dhe Qytetit të Shkupit, si dhe një inxhinieri mbikëqyrës – për keqpërdorim të detyrës, neglizhencë në punë dhe falsifikim të dokumenteve afariste. Ata dyshohen se kanë lëshuar leje ndërtimi dhe dokumente me përmbajtje të rreme për një parcelë pa plan urbanistik të miratuar, duke tejkaluar kompetencat ligjore. Përmes këtyre veprimeve, ata kanë mundësuar kompanisë “Azra Idriz” SHPK të përfitojë padrejtësisht mbi 108 milionë denarë, transmeton Portalb.mk.
“Kallëzime penale kundër tetë personave – ish-funksionarë dhe të punësuar në Komunën e Sarajit dhe Qytetin e Shkupit, si dhe një inxhinier mbikëqyrës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar, punë të pakujdesshme në shërbim dhe falsifikim ose shkatërrim të librave afaristë.
Drejtoria e Policisë Financiare ngriti kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike – Shkup kundër personave B.B. në cilësinë e ish-kryetarit të komunës, S.Sh. dhe K.K. në cilësinë e ish-sekretarëve në Komunën e Sarajit, A.S. dhe Q.A. në cilësinë e udhëheqësve të sektorit të planifikimit urban në Komunën e Sarajit, A.Sh. në cilësinë e bashkëpunëtorit të ri në Komunën e Sarajit, I.B.Sh. në cilësinë e udhëheqësit të sektorit për planifikim dhe zhvillim hapësinor në Qytetin e Shkupit dhe L.T. në cilësinë e inxhinierit mbikëqyrës, për veprat penale si në vijim: “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” sipas nenit 353 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë, “Kryerje e pakujdesshme e detyrave zyrtare” sipas nenit 353-c të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë dhe “Falsifikim ose shkatërrim i librave afaristë” sipas nenit 280 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë”, thuhet në njoftimin e Policisë Financiare.
Ekzistojnë baza për dyshim se të raportuarit, punonjës të Komunës së Sarajit, megjithëse ishin në dijeni se nuk kishte plan të detajuar urbanistik të miratuar për ngastrën kadastrale KP 10405/6 KO Saraj, duke tejkaluar autorizimet e tyre zyrtare, kanë përgatitur dhe miratuar një certifikatë nga plani dhe leje ndërtimi me përmbajtje të rreme, si dhe llogaritje për kompensim për zhvillimin e tokës ndërtimore, në kundërshtim me rregulloret ligjore, dhe inxhinieri mbikëqyrës ka kryer inspektim teknik të objektit dhe ka përgatitur raport përfundimtar me përmbajtje të rreme.
Në këtë mënyrë, të raportuarit, duke keqpërdorur detyrën dhe autorizimet e tyre zyrtare, si dhe duke kryer detyrat e tyre në mënyrë të pakujdesshme, i kanë mundësuar personit juridik “Azra Idriz” SHPK fshati Gllumovë, Shkup – Saraj të përfitojë dobi pasurore të kundërligjshme në shumë prej 108.638.840 denarësh.
Prokuroria nga ana tjetër njoftoi se “raporti është pranuar nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup dhe tashmë po ndërmerren veprime verifikuese”.
Lidhur me këtë ka reaguar Bexheti, i cili, akuzoi për “operacione”, konstrukcione politike dhe kallëzime të fabrikuara apo tentativa për shantazh.
“Mos mendoni se me këto “operacione”, konstrukcione politike, kallëzime të fabrikuara apo tentativa për shantazh mund të më ktheni pas, të më trembni apo të më detyroni të devijoj nga qëndrimet e mia politike. Kjo qeveri, e udhëhequr nga struktura antishqiptare dhe vazale, gabon rëndë nëse mendon se mund të heshtë zërin tim dhe të më frikësojë. Kam kaluar presione politike shumë më të mëdha se kaq. Nuk jam tërhequr atëherë dhe nuk do të tërhiqem as sot. Kallëzimet e porositura nuk më ndikojnë. Përkundrazi, më japin edhe më shumë arsye të qëndroj në krah të qytetarëve dhe të luftoj për llogaridhënie, drejtësi dhe demokraci. Unë nuk frikësohem. E vërteta nuk mbyllet me kallëzime politike“, thuhet në reagim.