Do të kemi një vjeshtë të nxehtë debati në Gjermani për shkak të reformimit të thellë të shtetit social? Deklarata e kancelarit mbi shtetin social gjerman sjell reagime.
I dëshiruar! I lakmuar! I kritikuar! Shteti social gjerman, kaq i mirënjohur, nuk i ka punët mirë: Qoftë sigurimi shndetësor, sigurimi i kujdesit afatgjatë për të moshuarit, pensionet apo përfitimet e papunësisë. Tek të gjithë këta sektorë, qeveria federale duhet të injektojë rregullisht sasi të mëdha të të ardhurave nga tatimet e shtetit për të shmangur kolapsin e shtetit social. Koalicioni qeveritar CDU/CSU-SPD me ardhjen në pushtet premtoi reforma gjithëpërfshirëse të shtetit social dhe modernizimin e sistemeve të sigurimeve shoqërore të Gjermanisë. Por ka mosmarrëveshje se si të arrihet kjo.
Apel i kancelarit Merz
Një deklaratë e fundit e kancelarit gjerman, Friedrich Merz të le të kuptosh, se muajt e ardhshëm në Gjermani do të ketë debate të forta si brenda koalicionit ashtu edhe në shoqërinë gjermane në lidhje me këto reforma. Ku do të ketë reformim, shkurtime dhe sa të forta do të jenë ato? “Shteti social siç e kemi sot nuk është më i financueshëm me atë që po arrijmë ekonomikisht.” u shpreh kancelari gjerman në një konferencë të partisë CDU të Saksonisë së Poshtme në Osnabrück në fundjavë (23.08.), duke theksuar nevojën për një riorganizim të politikave sociale. “Nuk do të lejoj veten të irritohem nga fjalë si shkurtime sociale, qërim i fortë dhe gjërat e tjera që lidhen me to”, tha Merz, që iu drejtua partnerit socialdemokrat. “Por apeli u drejtohet të gjithëve ne: Le të tregojmë së bashku se ndryshimi është i mundur, se reformat janë të mundshme.”
SPD nuk përjashton rritjen e tatimeve
Reagimi i Kancelarit Merz erdhi pas propozimit nga SPD-ja për rritjen e tatimeve. Zëvendëskancelari Lars Klingbeil nga socialdemokratët kishte deklaruar më parë se nuk do të përjashtonte taksa më të larta për ata që kanë të ardhura të larta dhe të pasurit. “Asnjë opsion nuk hiqet nga tavolina”, ishte shprehur kryetari i SPD-së për televizionin ZDF. Klingbeil si ministër i Financave duhet të mbushë boshllëqet prej miliarda dollarësh për buxhetet e ardhshme federale.
Më shumë Helmut Kohl: SPD i kujton CDU kohën e viteve 90-të
Socialdemokrati Lars Klingbeil i mbështet reformat, por paralajmëron nga padrejtësia sociale. “Ne kemi nevojë për reforma strukturore për të mbajtur kontributet sociale të qëndrueshme në planin afatgjatë”, tha Klingbeil për grupin mediatik Funke. Sipas ministrit gjerman të Financave të gjitha reformat duhet t’i përmbahen parimit : “Ne mbetemi një vend që ndihmon njerëzit që kanë nevojë, që sëmuren dhe kanë nevojë për ndihmë.”
Kryeministri i landit Renani-Pfalc (Rheinland Pfalz) Alexander Schweitzer, po ashtu socialdemokrat, e shikon zgjidhjen tek maksimalizimi i tatimit për super të pasurit. Schweitzer i kujtoi CDU kohën e kancelarit, Helmu Kohl, duke thënë se kjo parti duhet të “guxojë të jetë më shumë si Helmut Kohl”. Në mesin e viteve 1990, norma maksimale e taksave ishte 56 përqind, dhe kishte edhe një taksë mbi pasurinë. “Askush nuk kishte përshtypjen atëherë se socializmi mbretëronte në Gjermani. I shërben demokracisë t’i mbajë përgjegjës ata që janë aq të pasur sa nuk do të jenë kurrë më në telashe”, tha Schweitzer për Tagesspiegel.
CDU përjashton rritjen e tatimeve
Rritja e tatimeve përjashtohet nga CDU, partnerja më e madhe e koalicionit qeverisës gjerman. Kancelari Merz e përjashtoi çdo barrë shtesë mbi bizneset e vogla dhe të mesme. “Me këtë qeveri federale nën udhëheqjen time, nuk do të ketë rritje të taksës mbi të ardhurat për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Gjermani”, tha Merz, edhe pse ka disa brenda SPD-së që “kënaqen të diskutojnë rritjen e taksave”. Kancelari shprehu kritika për punën e deritanishme të qeverisë së koalicionit me socialdemokratët. “Nuk jam i kënaqur me atë që kemi arritur deri më tani. Na duhet më shumë”, tha ai megjithëse vuri në dukje se ishte nisur një politikë e re për migracionin dhe ishin dhënë impulse për një kthesë ekonomike. Merz dëshiron një SPD më “kritike ndaj migracionit dhe më miqësore ndaj industrisë”.
“Vjeshtë e mizorive sociale”?
Kancelari Merz mori mbështetje pas deklaratës mbi problemet e shtetit social nga Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Carsten Linnemann. Politikani i CDU bëri thirrje për një “ndryshim paradigme” në lidhje me ndihmën për qytetarin (Bürgergeld): Gjermania është me shpatulla pas murit “sepse shteti social është bërë i papërballueshëm”, i tha ai “Neue Osnabrücker Zeitung”.
Por edhe ideja Zëvendëskancelari i SPD, Klingbeil për rritje të tatimeve mbështetet nga SPD. Kreu i Juso-s, organizatë rinore socialdemokrate, Philipp Türmer, i shpalli shkurtimet sociale si vijën e kuqe për SPD-në. “Nëse ideja pas një vjeshte reformash është shkurtimi i shërbimeve sociale dhe i përfitimeve, mund të them pa mëdyshje: SPD nuk mund të lëvizë as edhe një centimetër në drejtim të tillë”, tha Türmer për “Stuttgarter Zeitung”.
Pas deklaratës së Merz reagoi edhe partia E Majta në opozitë: Kryetarja e grupit parlamentar të Partisë së Majtë, Heidi Reichinnek, paralajmëroi për një “vjeshtë mizorie sociale”. Aktualisht, po shohim, “se si të drejtat e punës dhe shteti i mirëqenies po sulmohen në një fushatë masive nga grupet e ekspertëve, shoqatat e punëdhënësve dhe të ashtuquajturit ekspertë”, tha Reichinnek për agjencinë e lajmeve AFP. CDU/CSU është “në krye të sulmeve”. Reichinnek bëri thirrje për një riaktivizim të taksës mbi pasurinë.
Puna ka filluar ndërkohë. Një komision i ri duke filluar nga shtatori do të propozojë reformim të përfitimeve sociale, të tilla si pagesa e qytetarit, pagesa e strehimit dhe shtesat për fëmijët. Komisioni Shtetëror Social, i emëruar nga ministrja e Punës, Bärbel Bas (SPD), pritet të paraqesë rezultatet deri në fund të vitit 2025.