Kandidati për president, Rafal Trzaskowski, valëvit flamurin polak ndërsa flet për mbështetësit pas shpalljes së sondazheve të para pas zgjedhjeve presidenciale në Sandomierz, më 18 maj 2025.
Kryetari centrist i Bashkisë së Varshavës, Rafal Trzaskowski, dhe nacionalisti Karol Nawrocki do të garojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Poloni më 1 qershor, sipas komisionit zgjedhor bazuar në votat nga 100% e qarqeve zgjedhore.
Trzaskowski, nga koalicioni qeverisës Civic Coalition (KO), mori 31.36% të votave në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të dielën. Kandidati i mbështetur nga partia opozitare nacionaliste Ligj dhe Drejtësi (PiS), Karol Nawrocki, mori 29.54% të votave. Sondazhet e mëparshme e treguan Trzaskowskin në krye të garës zgjedhore.
Të dy kandidatët nisën përgatitjet për raundin e dytë që në orët e para të së hënës, me Trzaskowskin që u takua me votues në Varshavë dhe Nawrockin në Gdansk.
“Duhet të flasim me të gjithë, argumentet janë më të rëndësishmet. Jam i lumtur që shumë të rinj dolën për të votuar, por sfida e madhe është t’i bind ata të votojnë për mua,” u tha Trzaskowski gazetarëve.
Kandidatët e ekstremit të djathtë, Slawomir Mentzen dhe Grzegorz Braun, morën së bashku mbi 21% të votave – një përqindje historikisht e lartë – duke fituar mbështetje të gjerë nga votuesit e rinj. Megjithatë, nuk është e qartë se për cilin kandidat do të shkojnë këto vota në raundin e dytë.
Nawrocki, i mbështetur nga partia nacionaliste Ligj dhe Drejtësi (PiS), tha se do të luftojë për votat e njerëzve në të dy anët e spektrit politik.
“Agjenda ime sociale dhe fakti që do të jem kujdestari i arritjeve sociale të qeverisë së Ligjit dhe Drejtësisë dhe të sindikatës Solidaritet e bëjnë ofertën time të vlefshme edhe për qarqet e ndjeshme sociale të së majtës,” tha ai.