Katër reaktorë në centralin bërthamor Gravelines në veri të Francës u detyruan të ndalojnë punën të dielën mbrëma, pasi një masë e madhe kandilësh deti bllokoi sistemin e ftohjes, njoftoi operatori francez i energjisë EDF.
Ngjarja ndodhi ndërkohë që dy njësi të tjera të centralit ishin jashtë shërbimit për mirëmbajtje të planifikuar, duke ndërprerë përkohësisht gjithë prodhimin e energjisë në këtë impiant.
Gravelines, një nga centralet më të mëdha bërthamore në Francë, me gjashtë reaktorë dhe kapacitet prej 900 megavatësh, përdor ujë nga një kanal i lidhur me Detin e Veriut për ftohje. Zona ka parë një rritje të popullsisë së kandilëve të detit, një specie që është përhapur sidomos pas ngrohjes së detit dhe hyrjes së specieve invazive.
Një nga speciet më të përhapura është kandili aziatik i detit (Moon jellyfish), i cili preferon ujëra të qeta dhe të pasura me plankton, si porte dhe kanale. Ky kandil ka shkaktuar më parë probleme në centrale bërthamore në vende si Kina, Japonia dhe India. EDF nuk ka konfirmuar nëse ky kandil ishte shkaktar i incidentit të fundit.
Sipas kompanisë, reaktorët 2, 3 dhe 4 u mbyllën automatikisht pak para mesnatës, pasi filtrat e pompave u bllokuan nga një numër masiv dhe i paparashikueshëm kandilësh deti. Reaktori 6 u ndalua disa orë më pas.
EDF njoftoi se filtrat nuk pësuan dëmtime dhe janë në proces pastrimi për rifillimin e operacioneve, ndërsa siguroi se nuk ka rrezik për sigurinë e centralit, personelin apo mjedisin. Kandilat e përfshira nuk janë helmuese dhe nuk paraqesin kërcënim për njerëzit.