Derbi i futbollit në Tel Aviv midis Hapoel dhe Maccabi u anulua të dielën pas asaj që policia e përshkroi si “çrregullim publik dhe trazira të dhunshme”. Ndeshja e Premier Ligës Izraelite ishte planifikuar të luhej në stadiumin ‘Bloomfield’, i cili përdoret nga dy rivalët e Tel Avivit, por videot në mediat sociale treguan tifozët që përlesheshin me policinë si brenda ashtu edhe jashtë impiantit.
Në një deklaratë, policia izraelite tha se 12 civilë dhe tre oficerë policie u plagosën në trazira, ndërsa nëntë persona u arrestuan. Të plagosur të shumtë kishte me plagë të lehta. Autoritetet thanë se 16 persona të tjerë u ndaluan për t’u marrë në pyetje. Pamjet e publikuara nga policia treguan mjete piroteknike dhe granata tymi që hidheshin nga tribunat para fillimit të ndeshjes dhe policia tha se vendimi për anulimin e ndeshjes u mor për shkak të “rrezikut të jetës njerëzore”.
Megjithatë, Hapoel kritikoi reagimin e policisë në një deklaratë të dielën, duke thënë se “dukej sikur policia po përgatitej për një luftë, jo për një ngjarje sportive”.
“Ngjarjet tronditëse jashtë stadiumit dhe vendimi i nxituar dhe skandaloz për të mos e zhvilluar ndeshjen, tregojnë vetëm se Policia Izraelite ka marrë kontrollin e sportit”, tha Hapoel.
Maccabi nuk ka komentuar për incidentin, vetëm për të konfirmuar se ndeshja ishte anuluar nga policia. Skenat vijnë pasi tifozëve të Maccabit iu ndalua nga autoritetet lokale në Angli të ndiqnin një ndeshje të Europa League në Aston Villa muajin e ardhshëm për shkak të shqetësimeve të sigurisë.