Pushimet kanë qenë të gjata jo vetëm për lojtarët e Pogradecit, por për të gjitha klubet e Kategorisë së parë, për vetë faktin se sezoni u mbyll më herët se vitet e shkuara.
Gjithsesi, pushimeve të liqenorëve duket se po u vjen fundi dhe këtë gjë e pasqyron më së miri kthimi nga Amerika i kapitenit të Pogradecit, Vangjel Zguro. Pas përfundimit të fazës “play off”, ku Pogradeci “flirtoi” me ngjitjen në superiore, por u mund në finale nga Tiara, mbrojtësi Zguro udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara për të kaluar disa ditë pranë familjes së tij. Pushimet amerikane të Zguros kanë marrë fund, pasi së fundmi kapiteni është parë duke marrë rrezet e diellit në breg të liqenit të Ohrit.
Lideri i pjesës së dytë të sezonit të fundit të Pogradecit, pritet që të jetë i tillë edhe në edicionin e ri, ku pretendimet janë madhore. Zguro po shijon pushimet e fundit në vendlindje, duke u bërë gati për fillimin e fazës përgatitore me Pogradecin.