Pavarësisht se kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami para një muaji deklaroi se nga mbledhja e parë do të fillojnë procedurat për transportin publik falas në Tetovë, kjo nuk ka filluar as pas katër seancave të këshillit, shkruan Portalb.mk.
Këshilli Komunal i Tetovës deri tani ka mbajtur katër seanca, por në asnjërën prej tyre në rend dite nuk u vendos asnjë pikë për transportin publik falas.
Këshilltari nga VLEN të cilët udhëheqin Këshillin Komunal, Albi Qamili duke mos treguar pse kjo nuk është vendosur ende, tha se po punohet në këtë drejtim.
“Jemi duke punuar intensivisht duke e përgatitur dokumentacionin, kushtet e nevojshme se si do të funksionojë, shpresojmë se viti 2026 do të fillojë me transport publik falas, tha Qamili.
Gjatë fushatës parazgjedhore, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami premtoi transport publik falas për të gjithë qytetarët.
Të njëjtin premtim ai e përsëriti edhe në daljen e tij të parë pas marrjes së mandatit.
“Nga mbledhja e parë e Këshillit Komunal do të nisë implementimi i një premtimi që kemi dhënë, ajo ka të bëjë transport publik falas për të gjithë banorët e Komunës së Tetovës, kjo do të jetë në shërbim të zvogëlimit të kaosit në komunikacion”, tha Kasami më 7 nëntor.
Kujtojmë se gjatë fushatës në vitin 2021, Kasami premtoi parkingje falas dhe nuk i realizoi.