Më në fund u mbyll saga e ndeshjes Erzeni–Shiroka, e vlefshme për javën e shtatë të kampionatit të Kategorisë së Dytë për Grupin A. Takimi, i planifikuar fillimisht të luhej të shtunën, u shty për shkak të terrenit të rënduar të stadiumit “Tofik Jashari” në Shijak.
Më pas u fol për një ndryshim kalendari, duke e vendosur ndeshjen të hënën në Shkodër dhe fazën e dytë në Shijak, por edhe kjo axhendë ndryshoi. Në fund, dueli u zhvillua dje në kompleksin stërvitor të Besës në Kavajë.
Shiroka vazhdon marshimin perfekt në Kategorinë e Dytë, duke regjistruar fitoren e gjashtë radhazi këtë sezon. Skuadra shkodrane triumfoi në transfertë ndaj Erzenit me rezultatin minimal 0–1. Goli i vetëm i sfidës u shënua në minutën e 50-të nga kapiteni Vucaj, i cili i dha Shirokës tri pikë të rëndësishme në një sfidë delikate.
Me këtë sukses, Shiroka ngjitet në kuotën e 18 pikëve dhe merr përkohësisht vendin e parë të renditjes, në pritje të Besëlidhjes që këtë javë ka qenë pushim. Forma e ekipit konfirmon ambiciet e qarta të klubit për këtë sezon, falë punës së mirë të presidencës dhe stafit teknik. Në fundjavë, Shiroka rikthehet në shtëpi, ku do të presë Gramshin me synimin për të zgjatur serinë pozitive. Po bëhet gjithnjë e më e qartë se gara për biletën direkte të ngjitjes në Kategorinë e Parë do të jetë një duel i fortë mes Shirokës dhe Besëlidhjes në Grupin A.
Kategoria e Dytë
Grupi A
Java 7, 22 nëntor
Të shtunë
Tërbuni – Luzi 2008 0-0
(u ndërpre në minutën 18)
Të dielën
Basania – Veleçiku 2-2
Hoxhaj 24’, Gjini 40’ / Shekaj 53’, 63’
Sopoti – Naftëtari 3-0
Nayara 17’, Jugu 41’(11-m), Troksi 51’
Gramshi – Adriatiku 2-1
Shuli 24’, Lamçe 90’ / Hasani 45’
Dje
Erzeni – Shiroka 0-1
Vucaj 50′
Java 8, 29 nëntor
Adriatiku – Tërbuni
Shiroka – Gramshi
Naftëtari – Erzeni