Kategoria e Parë hyn në një fazë ku kalendari ngjeshët dhe ndeshjet peshojnë gjithnjë e më shumë. Java e 9-të vjen me sfida që pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në ecurinë e kampionatit, javë e cila do të zhvillohet sot dhe nesër.
Java hapet sot me ndeshjen Apolonia–Iliria, duel i drejtpërdrejtë për zonën e “play off”-it. Fierakët duan të konfirmojnë ringritjen dhe Iliria që kërkon të ruajë pozitat në “top 3”.
Skënderbeu vazhdon i pathyeshëm dhe me vetëm një gol të pësuar në 8 javë, por sfida në Fushë-Krujë ndaj Kastriotit nuk lejon asnjë ulje ritmi për korçarët. Laçi, ndjekësi më i afërt, udhëton në Gjirokastër përballë Luftëtarit, një skuadër që edhe pse ka vetëm një fitore, ka treguar se mund t’u prishë punë skuadrave të mëdha. Ndërkohë Korabi dhe Pogradeci, dy ekipe shumë të forta në aspektin taktik, përballen në një sfidë që mund të ndryshojë ekuilibrat e mesit të renditjes.
Burreli–Lushnja sjell tension për objektivat e mbijetesës dhe ngjitjes, me të dyja ekipet që kanë nevojë të menjëhershme për pikë, ndërsa Besa–Kukësi është një duel i mbijetesës ku gabimet nuk pranohen më.
Verilindorët ende nuk kanë gjetur identitetin e duhur në këtë kategori, ndërsa Besa mbetet në kërkim të fitores së parë dhe luftës për mbijetesë. Një javë ku kreu kërkon konfirmim, ndjekësit kërkojnë presion, dhe fundi i tabelës kërkon shpëtim. Kampionati hyn në një fazë ku çdo pikë vlen më shumë se sa duket në sy dhe ku pritet të shohim reagime, surpriza dhe përforcim të pretendimeve për objektivat sezonalë.