Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në raportin e saj vjetor për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ka evidentuar një veprim të pajustifikueshëm të kësaj ndërmarrjeje publike që ka sjellë jo vetëm shpenzime të panevojshme, por edhe konfuzion institucional dhe ligjor.
Sipas gjetjes të raportit, KEK ka nënshkruar një kontratë prej 23,900 eurosh me një kompani private për auditimin e pasqyrave financiare vjetore për vitin 2024, si dhe për kryerjen e dy auditimeve të tjera të veçanta të kërkuara nga ZRRE dhe KPMM përkundër faktit që ZKA kishte konfirmuar se do t’i kryente të gjitha këto auditime pa pagesë shtesë, si pjesë e mandatit kushtetues dhe ligjor të saj.
ZKA kishte njoftuar zyrtarisht KEK-un dhe aksionarët për këtë angazhim më 27 shtator 2024, dhe më pas kishte ri-konfirmuar gatishmërinë për t’i kryer edhe auditimet e veçanta me 9 tetor, pas kërkesës së KEK-ut të datës 2 tetor. Me këtë rast, ZKA kishte alokuar edhe resurset përkatëse për të përmbushur këto auditime në përputhje me standardet dhe kërkesat e ligjit për ndërmarrjet publike, si dhe Ligjin për Auditorin e Përgjithshëm.
Por në një kthesë të pashpjegueshme dhe në kundërshtim me parimet e efikasitetit financiar, më 6 janar 2025 KEK vendosi të injorojë ZKA-në dhe të angazhojë një auditor privat për të njëjtat auditime, duke bërë kështu një shpenzim të dyfishtë për një shërbim që ishte tashmë i planifikuar nga institucioni kushtetues përgjegjës për kontrollin financiar të ndërmarrjeve publike.
ZKA, për të shmangur koston e dyfishtë dhe paqartësitë që mund të krijoheshin nga dy opinione të ndryshme të auditimit, ka vendosur të tërhiqet nga dy auditimet e veçanta (për ZRRE dhe KPMM), dhe të vazhdojë vetëm me auditimin e pasqyrave financiare vjetore, auditim që është pjesë e detyrimeve ligjore të saj si organ kushtetues i pavarur.
Ky veprim i KEK-ut, përveçse ka prodhuar një shpenzim të panevojshëm prej afro 24 mijë eurosh, ka krijuar edhe paqartësi për përdoruesit e pasqyrave financiare, pasi për të njëjtin vit dhe të njëjtat dokumente mund të ekzistojnë interpretime të ndryshme nga dy auditues të ndryshëm. një situatë që minon koherencën dhe besueshmërinë e kontrollit financiar publik.
ZKA thekson se KEK ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, duke mos trajtuar siç duhet njoftimin dhe angazhimin ligjor të institucionit të auditimit shtetëror.
Në rekomandimin e saj, ZKA i bën thirrje Bordit të Drejtorëve të KEK-ut që të shmangë në të ardhmen angazhimin paralel të auditorëve privatë për shërbime të cilat ligjërisht mbulohen nga ZKA, dhe të sigurojë përdorim efikas e ekonomik të fondeve publike – në respektim të plotë të kornizës ligjore dhe kushtetuese.