Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit do të mblidhet sot për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për autorizim për arrestimin e numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku. Partia Demokratike dhe kryeparlamentari Niko Peleshi më herët janë përfshirë në debate sa i takon USB-ës, e cila është kyçur në kasafortën e protokollit me argumentin se materialet janë sekret hetimor. Gjatë mbledhjes pritet të diskutohet, edhe me prokurorët e SPAK, se si do të trajtohen këto materiale.
Ndërkohë, në relacionin e dorëzuar në Kuvend për heqjen e imunitetit të Ballukut, SPAK rendit edhe arsyet se përse kërkon arrestimin e saj. Balluku dyshohet se ka manipuluar 12 tenderë me vlerë 1.2 mld euro, u ka bërë presion dëshmitarëve dhe rrezikon të bëjë krime më të rënda për shkak të personalitetit, renditet në relacionin e SPAK.
Në mbledhjen e sotme, zv.kryeministrja ka të drejtë të paraqitet vetë ose me avokat mbrojtës për t’u mbrojtur. Ndërkohë, në mbledhje marrin pjesë dhe prokurorët e SPAK që paraqesin provat se pse duan ta arrestojnë zëvendëskryeministren që ka edhe mandat deputeti. Mësohet se nga SPAK marrin pjesë 3 prokurorët Klodian Braho, Dorina Bejko dhe Dritan Prençi.
Në të shkuarën, Këshillit i janë dashur të paktën 2 mbledhje për të shqyrtuar kërkesën.
Rregullorja e Kuvendit nuk ka afat se kur duhet ta mbyllë shqyrtimin. Nga mbledhja e fundit e Këshillit, janë maksimumi 2 javë kohë për hartimin e raportit, i cili duhet të votohet në seancën më të parë.
Ligji ka vetëm një parashikim 3 mujor, brenda të cilit, nëse nuk merret një vendim, kërkesa e prokurorisë rrëzohet.
Një ditë më parë, Apeli i GJKKO-së la në fuqi masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit të Ballukut, ndërkohë nuk mori në shqyrtim ankesën për pezullimin mga detyra, për t’i dhënë kohë Kushtetueses për tu shprehur për ankimin e kryeministrit Rama. Gjykata Kushtetuese e ktheu Ballukun në detyrë, deri më shqyrtimin e ankimit të qeverisë, që kërkon zgjidhjen e kompetencave me GJKKO-në.
Balluku është e pandehur për shkeljet me tenderin 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë, nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe 450 milionë euroshe. Ajo dyshohet se ka përcaktuar fituesit edhe të 3 tenderave të tjerë. Bëhet fjalë për koncesionin e ndërtimit të rrugës Thumanë-Kashar më shumë se 245 mln euro nga kompania Gener 2 e Bashkim Ulajt, tenderin e rrugës Porto Romano-Durrës 12 mln euro dhe mirëmbajtja e akseve të veriut me vlerë 440 mijë euro.
SPAK kërkon arrestimin e Ballukut! Shehaj sot protestë në orën që Kuvendi shqyrton imunitetin e zv/kryeministres
Teksa Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit do të mblidhet për të vendosur mbi kërkesën e SPAK për arrestimin Belinda Ballukut, kryetari i Partisë ‘Mundësia’ Agron Shehaj do të mbajë një protestë në të njëjtën kohë përpara Kryesisë së Kuvendit.
Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara disa oficerë të policisë janë rreshtuar para këtij mjedisi për të shmangur ndonjë incident të mundshëm.
Sot mbledhja e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Ballukut, 3 prokurorët e SPAK që do marrin pjesë! Mes tyre edhe drejtuesi i ri Braho
Tre prokurorë të SPAK do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve ku do të shqyrtohet kërkesa për autorizim për arrestimin e Belinda Ballukut. Tre prokurorët janë Dorina Bejko, Dritan Prençi dhe drejtuesi i ri i SPAK, Klodian Braho.