Teksa Pano Ruçi, babai i Denis Ruçit – një prej 57 viktimave të aksidentit hekurudhor tragjik në Tempi – vijon grevën e urisë për ditën e 20-të para Parlamentit grek, ai nuk është më i vetëm.
Një grup emigrantësh shqiptarë të brezit të dytë në Greqi janë bashkuar pranë tij, në shenjë solidariteti dhe mbështetjeje për kërkesën e tij thelbësore: zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes së të birit dhe kryerjen e një kontrolli të thelluar toksikologjik pas zhvarrimit.
“Pano Ruçi nuk kërkon asgjë tjetër përveç së vërtetës,” shprehen emigrantët shqiptarë që e kanë ndërmarrë këtë nismë. “Ai nuk duhet të luftojë i vetëm për diçka që është njerëzisht dhe ligjërisht e vetëkuptueshme: të dijë çfarë i mori jetën djalit të tij.”
Ky grup u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në këtë përpjekje për drejtësi, duke nënshkruar një peticion publik dhe duke kërkuar vëmendje institucionale për çështjen e Pano Ruçit. “Ne nuk kemi asnjë forcë, përveç asaj që gjejmë kur qëndrojmë të gjithë të bashkuar,” thuhet në deklaratën e tyre.
Ndërkohë, gjendja shëndetësore e Ruçit mbetet serioze. Mjekët kanë paralajmëruar se ai është në rrezik për dështim të organeve për shkak të mosushqyerjes. Ka humbur mbi 10 kilogramë dhe po përjeton episode të rënda hipoglicemie, përgjumje dhe mpirje të gjymtyrëve. Megjithatë, ai ka refuzuar çdo trajtim spitalor dhe ka konfirmuar se do të vijojë grevën derisa kërkesat e tij të plotësohen.