Këshilli i Prokurorëve Publik në seancën e sotme e miratoi vendimin për ndërprerjen e funksionit të prokurorit publik për Mustafa Hajrullahin, ish-shef i Prokurorisë së Lartë Publike në Shkup, me kërkesën e tij personale, transmeton Portalb.mk.
Hajrullahi ishte pezulluar pasi Prokuroria Themelore Publike e Shtipit paraqiti aktakuzë për pesë vepra penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës” dhe një për “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar”, të bazuara në pretendime se, në periudhën nga shtatori 2023 deri në tetor 2024, ai ka përdorur pozitën hierarkike për ushtrim të vazhdueshëm të dhunës psikike dhe kërcënimeve ndaj pesë punonjëseve, duke iu kërcënuar kinse “do t’i godiste me shqelma” ose “do t’i hidhte nga kati i gjashtë” dhe duke tentuar t’i detyronte të nënshkruanin deklarata se ishin manipuluar.
Hajrullahi i ka hedhur kategorikisht poshtë të gjitha akuzat, duke pohuar se rasti është tendencioz dhe i montuar politikisht me qëllim largimin e tij, duke e lidhur procedurën me veprimet e tij lidhur me bonuset e Prokurorisë Speciale.
Në seancë, ndër të tjera, Këshilli i Prokurorëve Publik e zgjodhi edhe Bashkim Besimin për kryetar të ri. Pas zgjedhjes së tij, Besimi foli për prioritetet e mandatit të tij, duke theksuar mbrojtjen e prokurorëve publikë dhe vendimmarrjen kolektive.
“I falënderoj kolegët e mi që më mbështetën unanimisht, përparësia për mua është se kam qenë edhe zëvendës, në vazhdimësi, dhe vendimet merren gjithmonë në mënyrë kolektive. Do të angazhohem që të gjithë prokurorët publikë në Republikën e Maqedonisë të jenë të mbrojtur në çdo kuptim”, deklaroi kryetari i ri i Këshillit.
Ai, gjithashtu paralajmëroi se do të jetë gjithmonë në dispozicion të mediave.
Lidhur me Raportin e Komisionit Evropian për punën e prokurorëve publikë dhe ndërhyrjen e mundshme të autoriteteve të tjera në gjyqësor, Besimi theksoi se ” në pjesën e PP nuk ka vëretje për Këshillin” dhe se ajo pjesë do të shqyrtohet në një seancë pas së cilës do të dalin me një qëndrim zyrtar.
Ndërsa, lidhur me ndërhyrjen e mundshme të autoriteteve të tjera në gjyqësor, ai deklaroi “Ju siguroj se në KPPRM vendimet merren me shumicë dhe asnjë nga kolegët e mi nuk është ankuar ndonjëherë në atë kuptim”.
Besimi deri tani e ushtronte funksionin e zëvendëskryetarit të Këshillit. Për zëvendëskryetare të re u zgjodh Marijana Ilievska.
Kujtojmë se në nëntor të vitit 2024, Këshilli i Prokurorëve Publikë mori vendim me të cilin konfirmoi vendimin për shkarkimin e prokurorit të lartë publik Mustafa Hajrullahi nga posti, të marrë nga kryeprokurori. Ankesa e Hairullahit u refuzua si e pabazuar.
LEXO: Këshilli i Prokurorëve konfirmoi vendimin për pezullimin e Hajrullahit
Prokurori i lartë publik në Prokurorinë e Lartë Publike Shkup, Mustafa Hajrullahi, pas pezullimit nga detyra, në një konferencë për media ka akuzuar se kallëzimi penal kundër tij nga prokurori publik republikan ka tendencë për ta larguar dhe heshtur, si dhe për të frikësuar edhe kolegët e tjerë që veprojnë në përputhje me ligjin, dhe të gjitha me qëllim, siç tha ai, për të marrë vendime të urdhëruara.
Vendimi për suspendimin e Hajrullahit erdhi pasi Prokuroria Themelore Publike Shtip kishte lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj tij, për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale të vazhdueshme “ngacmimi gjatë kryerjes së detyrës” nga neni 143, si dhe vazhdimi i veprës penale të “keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar” nga neni 353 i Kodit Penal.